Paralajmërimi: Vetëm Vetting-u nga amerikanët, e shpëton Kosovën

  • 12 December 2019 - 07:39
Paralajmërimi: Vetëm Vetting-u nga amerikanët, e shpëton Kosovën

“Shpresat janë shuar për vullnet të mirë të kësaj politike të dështuar prandaj pa VETTING të detaizuar nën mbikëqyrjen 100% amerikane dhe evropiane, nuk ka shans që sistemi I drejtësisë të pastrohet nga servilet e politikës të lidhur me nëntokën kriminale, të cilët llogari ju japin atyre e jo zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës. Pra le të presim që viti 2020 do të jetë një ligj i Vetingut në shtetin e Kosovës dhe fillim i mbarë për qytetarët, një lajm i keq për zhvatësit, shkelësit e ligjit dhe mafio oligarkët e lidhur me politikën dhe krimin e organizuar”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Institucionet e drejtësisë dhe politika e Kosovës po vazhdojnë të sillen si shurdh memec, kur është fjala tek thirrjet ndërkombëtare për luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

Edhe pse zyrtarë të lartë me ndikim ndërkombëtar, shumë ish-ambasador dhe ambasadorë të shteteve mike në Kosovë, e kanë përsëritur shumë herë atë që edhe gazeta “Kosova Sot” po e raporton për më shume se 15 vite me radhë, që Kosova jo vetëm se sfidohet nga krimi i organizuar, por edhe sundohet nga krimi i organizuar, edhe pse jemi në përfundim të vitit 2019, në Kosovë po vazhdon të mos funksionojë ligji.

Për këtë fenomen të kapjes së thellë të shtetit nga krimi dhe korrupsioni, ka folur për “Kosova Sot Online” edhe analisti politik, Ragip Guraziu.

Ai ka thënë se përderisa politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale e ka kapur dhe mban fort në dorë sistemin e drejtësisë, nuk ka shans që në Kosovë të luftohet as krimi I organizuar, as korrupsioni e as asnjë shkelje tjetër ligjore nga peshqit e mëdhenj.

Guraziu, shpëtimin e vetëm të shtetit nga kjo lidhje mafioze e sheh tek Ligji Vetting, ligj që duhet të bëhet, sikur që është premtuar nga të gjitha partitë politike në fushatë zgjedhore.

Image
Ragip Guraziu

“Është fakt i pa mohueshëm, diçka shumë ditur për opinionin publik, se gjithë këto vite pas lufte, ka qenë dhe vazhdon të jetë vetëm gazeta Kosova-Sot, një medium i cili jo vetëm që po e sfidon krimin e organizuar, po tregon edhe se si po sundohet shteti nga krimi i organizuar. le të shpresojmë pra në premtimet që i kanë dhënë të gjitha partitë politike në zgjedhjet që mbeten pas se do ta bëjnë ligjin Veting dhe do ti japin grushtin më të rëndë krimit e korrupsionit. Kështu që vitet që shkuan mbrapa, edhe ky viti 2019 mos u ktheftë më, sidomos për qytetarët e Kosovës, dhe këtë retorik të betejës për luftë kundër korrupsionit, krimit organizuar dhe nëntokës kriminale, le ta bëjë realitet qeveria në ardhje, nëse arrin të formohet”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Guraziu tha për “Kosova Sot Online” se qytetarët kanë duruar së tepërmi që të zhvaten e nënshtrohen nga shkelësit e ligjit për gati dy dekada, prandaj është koha e fundit që tani të veprohet kundër këtyre rrjeteve kriminale të cilat janë denoncuar vazhdimisht edhe nga ndërkombëtarët.

“Le të shpresojmë që viti në vijim, pra viti 2020 ti merr me vete të gjitha të këqijat sepse deri më tash kishte plot ftesa e plotë kërkesa edhe nga ndërkombëtarët, nga ish-ambasadorë dhe ambasadore të shteteve mike në Kosovë, që e kanë konfirmuar të vërtetën e artikuluar nga gazeta “Kosova Sot”, të raportuar për më shumë se 15 vite me radhë, por politika dhe drejtësia e inkriminuar vepruan së bashku duke qenë mbi ligjin”, theksoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Guraziu konsideron se vetëm Qeveria e re dhe Ligji Vetting i kontrolluar drejtpërdrejtë në zbatim nga amerikanët, mundë të sjell shpresat për një shtet ligjor, ndryshe politika është dëshmuar si një faktor krejtësisht pa vullnet dhe e dështuar në zbatim dhe respektim të ligjit.

“Shpresat janë shuar për vullnet të mirë të kësaj politike të dështuar prandaj pa VETTING të detaizuar nën mbikëqyrjen 100% amerikane dhe evropiane, nuk ka shans që sistemi I drejtësisë të pastrohet nga servilet e politikës të lidhur me nëntokën kriminale, të cilët llogari ju japin atyre e jo zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës. Pra le të presim që viti 2020 do të jetë një ligj i Vetingut në shtetin e Kosovës dhe fillim i mbarë për qytetarët, një lajm i keq për zhvatësit, shkelësit e ligjit dhe mafio oligarkët e lidhur me politikën dhe krimin e organizuar”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)