Reagon KGjK: Sulmi fizik ndaj gjyqtarit mbikëqyrës është sulm ndaj drejtësisë

  • 12 December 2019 - 09:40
Reagon KGjK: Sulmi fizik ndaj gjyqtarit mbikëqyrës është sulm ndaj drejtësisë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, (KGjK) ka reaguar pasi që gjyqtari mbikëqyrës i Gjykatës Themelore në Mitrovicë , Rifat Bllata u sulmua fizikisht.

Këshilli thotë se është i shqetësuar për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit mbikëqyrës, Bllata, e që ndërlidhet me punën e tij zyrtare. Aktet e tilla të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve janë të pa tolerueshme dhe se të njëjtat merren shumë seriozisht.

“Këto sulme, nuk paraqesin vetëm ndërhyrje në parimin fundamental të pavarësisë së sistemit gjyqësor, por njëkohësisht edhe shkelje ligjore. Andaj, sulme të tilla ndaj sistemit gjyqësor dhe KGjK-së paraqesin shqetësim serioz”, thuhet në një komunikatë për media të  Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Këshilli qëndron fuqishëm pranë gjyqtarëve, i mbështet në punën e tyre të pavarur dhe i inkurajon në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor dhe fton organet kompetente që të ndërmerren të gjitha veprimet e duhura rreth këtij rasti dhe njëherit zotohet në jetësimin e misionit të institucioneve gjyqësore për të siguruar rend dhe ligj në Republikën e Kosovës.

(Kosova Sot Online )