20 familje nga Shqipëria janë strehuar në Vushtrri, autoritetet nisin evidentimin familjeve tjera

  • 12 December 2019 - 10:49
20 familje nga Shqipëria janë strehuar në Vushtrri, autoritetet nisin evidentimin familjeve tjera

Zyrtarë të Komunës së Vushtrrisë thonë se pas tërmetit të rëndë që goditi Shqipërinë, është rritur numri i familjeve të zhvendosura nga Shqipëria që po kërkojnë strehim në këtë qytet.

Të përballur me këtë gjendje, Komuna e Vushtrrisë sot ka themeluar një Komision për evidentimin e shtetaseve nga Shqipëria të cilët po kërkojnë strehim në Vushtrri.

Besim Muzaqi, nënkryetar i Komunës tha se Komuna e Vushtrrisë është duke përcjellur nga afër këtë proces, e falë edhe bujarisë dhe solidaritetit të qytetarëve vushtrrias, është bërë edhe akomodimi i familjeve nëpër shtëpi private.

Ai thotë se sipas të dhënave që kanë deri më tani numri i familjeve që janë strehuar në Vushtrri është 20.

“Komuna u bënë thirrje shtetasve shqiptar që kanë kërkuar strehim në Vushtrri që të paraqiten për regjistrim në Komunën e Vushtrrisë. Paraqitjen e tyre ata mund ta bëjnë tek sporteli i Qendrës së Shërbimit të qytetarëve në hyrje të objektit të Komunës së Vushtrrisë. Po ashtu, Komuna u bënë thirrje qytetarëve vushtrrias që kanë në dispozicion shtëpi të banueshme dhe që kanë mundësi të akomodojnë në shtëpitë e tyre shtetasit nga Shqipëria, që të lajmërohen në Drejtorinë e Emergjencave dhe Mbrojtjes Civile, te drejtori Bajrush Kosumi ose në telefonin + 383 44 174 029”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)