Rusia dëbon dy diplomatë gjermanë

  • 12 December 2019 - 14:45
Rusia dëbon dy diplomatë gjermanë

Rusia ka njoftuar se do të dëbojë dy diplomatë gjermanë pasi Berlini ka vepruar njëjtë me dy diplomatë rusë javën e kaluar.

Ministria e Jashtme në Moskë ka thënë më 12 dhjetor se ka thirrur për intervistim ambasadorin gjerman, Geza Andreas von Geyr dhe e ka informuar se dy diplomatët gjermanë kanë shtatë ditë për t’u larguar nga Rusia.

“Duke vepruar sipas parimit të reciprocitetit dhe artikullit 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike të vitit 1961, ana ruse ka vendosur të shpallë dy punëtorët e Ambasadës gjermane persona të padëshiruar në Rusi”, është thënë në deklaratë.

Javën e kaluar, Gjermania ka dëbuar dy diplomatë rusë, pasi Zyra e Prokurorit Federal ka thënë më 4 dhjetor se “ka të dhëna të mjaftueshme” që ose agjencitë e qeverisë rusë apo agjencitë rajonale çeçene kanë urdhëruar vrasjen e një gjeorgjiani 40-vjeçar në Berlin, me origjinë çeçene.

Ministria e Jashtme gjermane e ka cilësuar veprimin e Moskës “të paarsyetueshëm”.

Zelimkhan Khangoshvili është qëlluar dy herë në kokë për vrasje më 23 gusht.

Khangoshvili ka luftuar më parë me separatistët në rajonin rus të Çeçenisë dhe më pas ka bërë kërkesë për refugjatë në Gjeorgji.

Disa vjet më vonë ai është bartur në Gjermani me familjen e tij duke kërkuar edhe azil.

Lidhur më këtë vrasje është identifikuar një 49-vjeçar me pasaportë ruse.

I dyshuari është thënë të ketë qenë i përfshirë edhe në vrasjen e një biznismeni rus më 2013.

Aktualisht ai ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

Moska ka mohuar pretendimet për përfshirje të shtetit në këtë rast.

(Kosova Sot Online)