5.8 ton drogë e miliona euro! Kush është “Daja”, pjesëtari i bandës së rrezikshme në Itali

  • 12 dhjetor 2019 - 14:53
5.8 ton drogë e miliona euro! Kush është “Daja”, pjesëtari i bandës së rrezikshme në Itali

Në Itali, karabinieria e Barit ka arrestuar 20 persona, të cilët dyshohen se kanë trafikuar drogë dhe armë nga nga Shqipëria drejt Italisë.

Sipas gazetës “Corriere della Sera”, arrestimet u bënë pas hetimeve të kryera nga grupi hetimor për Krimin e Organizuar.

Nga hetimet ka rezultuar se ka patur prova të mjaftueshme që vërtetojnë se personat e arrestuar, prej dy vitesh kanë trafikuar tonelata marijuanë, pistoleta dhe pushkë automatike drejt Italisë.

Sipas gazetës “La Repubblica”, mes 20 personave të arrestuar, janë edhe tre shqiptarë, Kristo Janku, i cili njihej edhe me nofkën “Daja”, Ilirian Gjonxha dhe Harrilla Helmi, si dhe Antonio Prudentino, djali i kreut të një prej klaneve kriminale në Brindisi.

Policia ka sekuestruar gjithashtu pasuri me vlerë 1 milionë euro, 10 pistoleta dhe dy kallashnikovë.

Sipas Guardia di Finanza, grupi criminal që vepronte në Bari dhe Brindisi, ishte armatosur për të rritur dominimin e vet në një zonë që nuk ka një hierarki të qartë të organizatave kriminale, edhe pse njihet si territor i “Sacra Corona Unita”.

Policia  gjithashtu ka sekuestruar edhe 8 gomone që përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike.

Arrestimet e sotme përfaqësojnë epilogun e një hetimi të gjatë dhe kompleks të kryer nga dhjetori 2015 deri në shkurt 2017.

(Kosova Sot Online)