Vijnë akuza të rënda për Komandantët, ja ‘haraçi’ që po e paguan Kosova me Specialen

  • 12 December 2019 - 14:56
Vijnë akuza të rënda për Komandantët, ja ‘haraçi’ që po e paguan Kosova me Specialen

“Janë vet partitë politike, në veçanti të të ashtuquajturit “Krahu politik” që penguan formimin e një gjykatë për krime lufte në Kosovë, një gjykatë që do të përbëhej nga gjykatës e prokuror vendor dhe e monitoruar nga ndërkombëtarët. Por, vrasjet e shqiptarëve gjatë luftës dhe pas luftës, sidomos atyre me sfond politik, vrasje për këto që janë përgjegjës organizata kriminale SHIK-u, por edhe ish-SHP i UÇK-së, bëri që të kemi një situatë të tillë siç është Gjykata Speciale”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Duke përcjellë zhvillimet e fundit dhe agjendën e intensifikuar të veprimit të Gjykatës Speciale, analistët politikë dhe njohës të së drejtës, vlerësojnë se Kosova tani po e paguan haraçin e shtrenjtë për shkak të mungesës së vullnetit politikë që vetë institucionet e shtetit të Kosovës, ta iniciojnë në ditët e para të pas luftës, krijimin e një Gjykate të veçantë për krimet e luftës, pa dallime në baza etnike.

Ky është një mendim që e jep për “Kosova Sot Online”, analisti politik dhe publicisti, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Politika kosovare me kohë e ka injoruar nevojën e formimit të një gjykate të tillë, dhe më pastaj doli Serbia që ta shfrytëzon një raport shpifës të Dick Martit dhe ti kërkon BE-së imponimin e një anshëm të një Gjykate Speciale vetëm për krimet e pretenduara të shqiptarëve nda pjesëtarëve të komunitetit serb”, tha Haziri.

Më tej, Haziri konsideron se ishin pikërisht vrasjet politike të luftës dhe të pas luftës, ato nga të cilat u frikësua një pjesë strukturave të SHIK-ut që e penguan krijimin e hershëm të një gjykate të tillë, e cila do të trajtonte të gjitha krimet dhe vrasjet politike hakmarrëse pa asnjë dallim.

“Mungesa e vullnetit politik nga aktorët politik vendor, sidomos nga pjesa e ashtuquajtur e partive të dala nga lufta, dhe në anën tjetër nga vet ish-administrata ndërkombëtare UNMIK-u, për themelimin e një Gjykate për Krime lufte në Kosovë që në vitet e para të pasluftës, ka bërë që sot të kemi një Gjykatë Speciale e cila merret vetëm me krimet e shqiptarëve, por jo edhe me krimet e serbëve ndaj popullatës shqiptare. Pse nuk është bërë kjo gjykatë, e cila do ti përfshinte të gjitha krimet pa dallime etnike të viktimës apo të kryesit, janë dy arsye. E para është inkriminimi i disa eksponentëve më të lartë të UÇK-së, më vonë lider politik, në vrasje gjatë periudhës së luftës, dhe një gjykatë e tillë, përveç se do të merrej me zbulimin e vrasjeve të aktivistëve të LDK-së, do t’i pengonte edhe në ambiciet e tyre për pushtet dhe para”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”. 

Kështu që sipas Hazirit, u bënë hesapet për atë kohë, duke heshtur për krimet serbe ndaj popullit shqiptar, vetëm e vetëm që mos të merret askush me krimet e “komandantëve”.

“Pra një lloj ujdie “as ju neve-as na juve”. Kjo lënie ne heshtje e këtyre krimeve, i ka konvenuar edhe administratës së UNMIK-ut, sepse UNMIK-ut më shumë i interesonte një stabilitet i brendshëm politik dhe ai i sigurisë sa do i brishtë dhe me çfarëdo çmimi, pra edhe duke u vra Xhemajl Mustafa në mes të Prishtinës në gjysmë të ditës dhe shumë të tjerë që do të vriten më pas. Janë vet partitë politike, në veçanti të të ashtuquajturit “Krahu politik” që penguan formimin e një gjykatë për krime lufte në Kosovë, një gjykatë që do të përbëhej nga gjykatës e prokuror vendor dhe e monitoruar nga ndërkombëtarët. Por, vrasjet e shqiptarëve gjatë luftës dhe pas luftës, sidomos atyre me sfond politik, vrasje për këto që janë përgjegjës organizata kriminale SHIK-u, por edhe ish-SHP i UÇK-së, bëri që të kemi një situatë të tillë siç është Gjykata Speciale”, përfundoi Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)