Dëshmitari i Speciales dhe ish agjenti jep detajet: Ja kush i shpëton Gjykatës, tri momentet kryesore që...

  • 13 December 2019 - 07:45
Dëshmitari i Speciales dhe ish agjenti jep detajet: Ja kush i shpëton Gjykatës, tri momentet kryesore që...

“Edhe pse në këtë raport akuzash kundër Kosovës, Hashim Thaçi është prapë aktori kryesor që akuzohet nga ky raport i senatorit Marti, me gjithë këto akuza kundër Kosovës amenstohen 99% e krimeve të bëra nga shteti serb në Kosovë dhe amnistohet ajo pjesa tjetër 1% e krimeve që i kanë bërë shqiptarët me urdhrat e Hashim Thaçit. Prandaj atëherë po del se kjo gjykatë është vetëm cirk, është një hajgare me drejtësi, hajgare me viktimat, pa marr para sysh a janë viktimat 99% shqiptar apo 1% e viktimave tjera që nuk janë shqiptar”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së të drejtës dhe sigurisë, të cilët po e përcjellin me kujdes fillimin e veprimit aktiv të Dhomave të Specializuara të Prokurorisë Speciale, konsiderojnë së dëmet që do të ia sjell Kosovës kjo Gjykatë, në imazhin ndërkombëtar por edhe ndikimin e brendshëm, do të jenë thellësisht të pa riparueshme, madje me dekada.

Përgjegjëse kryesore pse u instalua një Gjykatë e tillë në Kosovë, konsiderohet klasa politike e cila nuk pati vullnet që vetë të merret me këto krime, të të gjitha përkatësive, si dhe drejtësia kosovare e korruptuar dhe ndikuar nga politika, që nuk e zbatoi ligjin por urdhrat e politikës.

Kështu tha për “Kosova Sot Online”, ish luftëtari i lirisë dhe ish agjent i SHIK-ut, Naim Miftari dhe tani edhe dëshmitar në Gjykatën Speciale.

Image
Naim Miftari

“Unë mendoj se Gjykata Ndërkombëtare nuk e rrezikon krimin e organizuar aspak, as korrupsionin as politikanët e korruptuar, nuk i rrezikon fare. Gjykata Ndërkombëtare e dëmton Kosovën si shtet, por nuk ka rëndësi fare a dënohet apo lirohet ndonjë individ nga kjo Gjykatë, dëmet e kësaj gjykate karshi Kosovës si shtet janë të pa riparueshme”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Madje Miftari përmend tri momentet kyçe dhe individët që ndikuan në bërjen e kësaj Gjykate, e që dëmton thellësisht të kaluarën dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Janë tri gjëra që e forcuan Serbinë karshi Kosovës. E para nuk e ndërtuam një shtet serioz, shtet ligjor e të drejtë për të gjithë njësoj, kurse e dyta faktorët që e dëmtuan më së shumti Kosovën janë politikanët e korruptuar, debilët e Kosovës, këta që u futën pa kurrfarë nevoje në biseda me Serbinë, vetëm që të shpëtojnë vetë nga ligji dhe të ju imponohen stafeve ndërkombëtare si zgjidhës të problemeve. Pa dyshim që këtu është vetë Hashim Thaçi, faktori kryesor, servili kryesor së bashku me Behgjet Pacollin, këta dy janë që ndikuan në Gjykatën Speciale edhe në tërheqjen e shumë njohjeve për Kosovën. Pastaj çështja e tretë që e dëmtoi dhe do ta dëmton akoma më shumë Kosovën është vetë formimi i Gjykatës ndërkombëtare, dhe mënyra diktatoriale e Hashim Thaçit dhe e Isa Mustafës që detyruan deputetët ta votojnë atë në mënyrë diktatoriale. Është fare i sigurt se kjo gjykatë nuk do të zgjidh asnjë problem, përveç se do ti sjell dëme Kosovës edhe në dekadën tjetër që po vjen”, shtoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, faktori ndërkombëtar e detyroi Kosovën që ta pranojë dhe ta formojë me votat e veta një gjykatë ndërkombëtare për krimet e supozuara të luftës, sepse nuk iu besua drejtësisë së Kosovës, e cila është ndikuar nga politika.

“Kosova asnjëherë nuk u dëshmua se po funksionon si shtet ligjor prandaj edhe krijimi i Gjykatës është produkt i mungesës së një shtetit ligjor në Kosovë, ku gjykatat e prokurorët nuk e mbrojnë dhe nuk e zbatojnë ligjim, por e mbrojnë shefin që i ka sjell në ata njerëz në pozita, në ato detyra, e tani detyra e tyre është që ta luajnë rolin e kukullës”, theksoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, raporti i Dik Martit ku përmendet dyshimet e tregtisë me organe gjatë luftës, është vetëm një gënjeshtër dhe propagandë serbo-ruse, por sa iu përket vrasjeve politike, krimit të organizuar, pastaj rasti i aferës Medikus, në këtë raport shumica janë të vërteta.

“Viktimat kryesore të kësaj gjykate, nuk do të jenë kriminelët e vërtetë, as serbët dhe as shqiptarët, por do të jenë ata që jua drejton gishtin Hashim Thaçi, kurse ai vetë do të bëjë gjithçka për të shpëtuar. Edhe pse në këtë raport akuzash kundër Kosovës, Hashim Thaçi është prapë aktori kryesor që akuzohet nga ky raport i senatorit Marti, me gjithë këto akuza kundër Kosovës amenstohen 99% e krimeve të bëra nga shteti serb në Kosovë, dhe amnistohet ajo pjesa tjetër 1% e krimeve që i kanë bërë shqiptarët me urdhrat e Hashim Thaçit. Prandaj atëherë po del se kjo gjykatë është vetëm cirk, është një hajgare me drejtësi, hajgare me viktimat, pa marr para sysh a janë viktimat 99% shqiptar apo 1% e viktimave tjera që nuk janë shqiptar”, përfundoi Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)