Krimi makabër në Ferizaj: I dyshuari i kishte borxh viktimës, e vrau dhe e dogji trupin për...

  • 13 December 2019 - 16:30
Krimi makabër në Ferizaj: I dyshuari i kishte borxh viktimës, e vrau dhe e dogji trupin për...

Shkodran Bytyqi, baba i dy fëmijëve, është gjetur i vrarë dhe i djegur mbrëmë rreth orës 19:00, në Ferizaj, më saktë në mes të fshatit Gadime dhe Kishnapol. Sipas Prokurorisë së Ferizajt, ai dyshohet se është vrarë mbrëmjen e 8 dhjetorit të këtij viti, kur edhe ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët. Deri tani, për këtë rast janë arrestuar dy persona, derisa arsyeja që solli deri te vrasja dyshohet të jetë borxhi, që siç mëson media, i dyshuari për vrasje ia kishte viktimës.

Në mes të fshatit Gadime të Ferizajt dhe Kishnapol të Gjilanit, mbrëmë, është gjetur një 32-vjeçar pa shenja jete dhe i djegur. Viktima është Shkodran Bytyqi nga Ferizaj, i cili ishte raportuar si i zhdukur më 8 dhjetor.

Bytyqi, i cili ka lënë pas vetes gruan dhe dy fëmijët, dyshohet së është vrarë para pesë ditësh, derisa tek mbrëmë është gjetur trupi i tij.

Sipas dyshimeve të para, motivi i kësaj vrasje është një borxh, që siç mëson media, i dyshuari për vrasje ia kishte viktimës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari  ka thënë se dyshimet e para janë se viktima është vrarë ditën kur është lajmëruar si i zhdukur, por se data e saktë dhe rrethanat se si ka ndodhur vrasja do të saktësohen shpejt.

Jashari deklaron se motivi i kësaj vrasje lidhet me një borxh.

“Dyshohet se viktima është vrarë ditën kur është lajmëruar i zhdukur. Ekipet tona janë duke punuar në këtë drejtim dhe kur t’i marrim informacionet e sakta do të saktësohen data dhe mënyra e kryerjes së veprës. Motivi lidhet me një kontest, pra një borxh. Nuk kemi informata se çfarë lidhje kanë viktima me dorasin ende”, ka thënë Jashari.

Kryeprokurori Jashari ka bërë më dije se deri tani për këtë rast janë arrestuar dy persona, të cilët janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe se është duke u përgatitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për ta.

Sipas Prokurorisë, njëri dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, derisa tjetri për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”. 

Media mëson se i dyshuari për vrasje është Trimor Lalinovci dhe se i njëjti e ka pranuar fajësinë.

“Për momentin janë arrestuar dy persona. Janë ndalë me vendim të prokurorit për 48 orë. Njëkohësisht është duke u përgatitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka thënë Jashari.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar sot gjatë ditës edhe Togeri Agim Gashi.

Ky zyrtar policor ka thënë se dy të arrestuarit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, derisa trupi i 32-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

 “Mbrëmë rreth orës 19:00 është gjetur një trup i pajetë, në lokacionin afër fshatit Kishnapole. Dyshohet për vrasje të rëndë. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Lidhur me rastin, janë arrestuar dy persona. Me urdhër të Prokurorit, janë ndaluar për 48 orë. Të gjitha njësitet policore, në bashkëpunim me Prokurorin, janë duke punuar për t’i zbardhur rrethanat se si ka ndodhur ky rast. Të arrestuarit janë T.L, 22 vjeçar dhe B.L, 25 vjeçar”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Bytyqi ishte raportuar si i zhdukur, gjatë javës së kaluar. Rastin në Polici e kishte paraqitur babai i tij, i cili kishte thënë se i biri është larguar nga shtëpia, sipas tij për shkak të një borxhi.

“Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka informuar se i biri i tij mashkull K-Shqiptar është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Ankuesi dyshon se për shkak të një borxhi, viktima është larguar”, thuhej në njoftimin e Policisë.

(Kosova Sot Online)