Mediat botërore komentojnë fitoren e konservatorëve britanikë

  • 13 December 2019 - 19:15
Mediat botërore komentojnë fitoren e konservatorëve britanikë

Shtypi ndërkombëtar theksoi sot ardhjen e një epoke të re për Britaninë e Madhe, pas fitores së pastër të konservatorëve të Boris Johnson-it në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që disa prej tyre parashikojnë një Brexit më pak të ashpër nga sa parashikohej dhe kanë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, ndoshta, më pak premtuese nga sa e paraqesin mbrojtësit e Brexit.

“Fitorja e konservatorëve është një lehtësim i madh për Boris Johnson, por tani vjen sfida e ruajtjes së unitetit brenda Britanisë së Madhe”, shkruan gazeta hollandeze “De Volkskrant”.

“Një fitore e madhe për Johnson, që tashmë e ka rrugën të hapur për të miratuar marrëveshjen e Brexit në parlament”, nënvizon e përditshmja daneze “Financieele Dagblad”.

“Më në fund nuk do t’i dëgjojmë më në Bruksel disa zyrtarë europianë apo eurokratë që të thonë se “Brexit nuk do të bëhet”, “Britanikët janë pragmatikë”, tha në Twitter korrespondenti i gazetës franceze “Liberation” në Bruksel, Jean Quatremer. 

“Pra, Britania e Madhe do të largohet nga BE në fund të janarit. Ky është fillimi i një epoke të re, por kjo epokë e re duket se do të jetë shumë më pak premtuese për Britaninë e Madhe nga sa e paraqitën propaganduesit e daljes nga BE. Në një botë të shenjuar nga një konkurrencë e fortë gjeopolitike e fuqive të mëdha, veprimtaritë e izoluara jo gjithmonë sjellin shpërblime”, nënvizon e përditshmja e djathtë gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

“Me Boris Johnson, Brexit ka shanse të mira të jetë gjithçka përveçse i vështirë, sepse një kryeministër me një shumicë të madhe parlamentare ka hapësirë manovruese të mjaftueshme për të vendosur marrëdhënie të reja harmonike me BE-në”, vë në dukje gazeta konservatore gjermane “Die Welt”.

(Kosova Sot Online)