Harxhuan miliona në fushatë, kërkohen hetime ndaj partive politike

  • 14 December 2019 - 07:44
Harxhuan miliona në fushatë, kërkohen hetime ndaj partive politike

“Kur i shohim të gjitha këto shpenzime kaq marramendëse, në një shtet pothuajse të sa po dalë nga lufta, pasojat e të cilës ende janë të dukshme, dhe në një vend kaq të vogël e të varfër si ky i yni, atëherë me të drejtë lind pyetja, se nga po financohen partitë tona aktuale, kështu që duhet te hetohen deri në imtësi burimet e financave të këtyre partive politike”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Komisioni Qendror Zgjedhor, pas zgjedhjeve të 6 tetorit për herë të parë i ka bërë publike raportet e shpenzimit financiar të partive politike, akoma pa ju nënshtruar procedurës së auditimit, procedurë që dinë ta manipulojnë dhe ta zvarritin qëllimisht vetë partitë politike me vite të tëra, për t’i ikur transparencës në raport me qytetarin.

Analisti politik, Gani Qarri duke parë këto shuma alarmante të raportuar për vetëm disa ditë fushatë zgjedhore, konsideron së këto parti politike që u futën në parlament, kanë shpenzuar pa asnjë kursim, madje pa menduar fare për qytetarin miliona të siguruar nda donatorët e tyre në prapaskenë.

Image
Gani Qarri

“Donatorë që nuk i tregojnë, por i kompensojnë me dhurata tenderësh pasi të vijnë në pushtet, prandaj kjo lidhje e biznesit me politikën që po shndërrohet pastaj në lidhje kriminale, duhet të hetohet që tani duke u nisur nga zbulimi i lidhjeve financiare. Sipas raportit të sapo publikuar financiar, nga Komisioni Qendror Zgjedhor dëshmohet se partitë aktuale politike për fushatën e zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, kanë shpenzuar pa asnjë kursim, shuma marramendëse parash. Në bazë të raportit në fjalë, del se LDK ka shpenzuar më së shumti, duke dhënë gjithsej 730,145,87 euro në fushatë, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 451,979,86 euro. Përveç të dhënave se në krye të listës për shpenzime qëndron Lidhja Demokratike e Kosovës, habit fakti se si koalicioni i cili mezi arriti ta kaloi pragun elektoral,si Nisma-AKR-PD, të shpenzojë mbi 115 mijë e 863 euro,në fushatë. Madje çuditërisht,koalicioni i vetëquajtur i "shpresës",i cili vetëm pas rinumërimit të disahershëm të votave, disi si me imponim u katapultua në Kuvend edhe për këtë legjislaturë, del të ketë shpenzuar i vetëm, më shumë se i gjithë koalicioni i korruptuar i PAN-it”, tha analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Qarri thotë se është për tu befasuar dhe dyshuar edhe me subjektin politik i cili doli si i treti për nga shpenzimet e fushatës, që është koalicioni në mes AAK-së dhe PSD me 346,544,15 euro, për aq sa është për tu befasuar dhe për të dyshuar edhe me shumën e PDK-së që raportohet të ketë shpenzuar vetëm 316,346,32 euro, që i bie akoma më pak se koalicioni AAK-PSD që ka shpenzuar mbi 115,863,80 euro.

“Mjerisht kjo është edhe një pasqyrë dhe dëshmi rrëqethëse se si partitë tona aktuale, edhe në këto zgjedhje shpenzuan pa asnjë kursim milionat e taksapaguesve të vendit. Për aq më keq, askush nuk mund ta besojë, se vërtetë, këto janë edhe të dhënat reale,kur dihet fakti se në prapaskenë mund të jenë dhënë edhe me shumë miliona euro të tjera, për çka me të drejtë dyshohet se partitë tona politike, po e mbajnë fshehtë numrin e milionave të shpenzuara në zgjedhje”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, edhe po të jenë reale shifrat e raportuara, ato janë të tepërta, janë në shpërputhje me nivelin e zhvillimit të vendit dhe mundësitë legale të financimit, prandaj kjo është edhe një arsye plus pse duhet të hetohen burimet e financimit të partive politike në vendin tonë.

“Kur i shohim të gjitha këto shpenzime kaq marramendëse, në një shtet pothuajse të sa po dalë nga lufta, pasojat e të cilës ende janë të dukshme, dhe në një vend kaq të vogël e të varfër si ky i yni, atëherë me të drejtë lind pyetja, se nga po financohen partitë tona aktuale, kështu që duhet te hetohen deri në imtësi burimet e financave të këtyre partive politike”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)