Ushtria e Kosovës po rritet për t’i ndihmuar edhe aleatët

  • 14 December 2019 - 10:33
Ushtria e Kosovës po rritet për t’i ndihmuar edhe aleatët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur rreth një vjetorit të formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Përmes një statusi të bërë në Facebook, ai tha se votimi i tri ligjeve për transformimin e FSK-së që kishte marrë më së shumti vota ndonjëherë, ka qenë dëshmi se sa të vendosur kemi qenë në këtë pikë.

Po ashtu, Thaçi tha se FSK po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja. 

Statusi i tij i plotë në Facebook

Më 14 dhjetor të vitit të kaluar e përmbyllëm një proces të filluar më 2014, me të cilin i vumë themelet e Ushtrisë së Kosovës.

Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë.

Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë.

Forca e Sigurisë së Kosovës si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit.

 Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja.

(Kosova Sot Online)