Pas Shqipërisë, tërmeti i fuqishëm e godet këtë shtet

  • 15 December 2019 - 09:13
Pas Shqipërisë, tërmeti i fuqishëm e godet këtë shtet

Një tërmet i fuqishëm e ka goditur të dielën në mëngjes pjesën jugore të Filipineve, afër qytetit Davao. Lajmin e bëri të ditur Instituti Amerikan i Gjeologjisë.

Ky rajon është goditur disa herë nga tërmetet në muajt e fundit. Pavarësisht fuqisë së dridhjes, autoritetet nuk kanë lëshuar alarm për cunami.

Epiqendra e këtij tërmeti të fuqishëm ishte 61 kilometra në jugperëndim të qytetit Davao, në ishullin Mindanao, ndërsa thellësia e tij ishte 28 kilometra nën sipërfaqen e tokës. 

Qendra Paralajmëruese e Cunameve në Paqësor tha se, mbështetur në të dhënat e tanishme, nuk ekziston ndonjë rrezik për cunami.

Autoritetet deri më tash nuk kanë raportuar për viktima apo dëme material, ndonëse tërmetet me fuqi të këtillë mund t’i dëmtojnë ndërtesat.

Ky rajon u godit nga tri tërmete në tetor dhe një tjetër në nëntor, me ç’rast mbetën të vdekur së paku pesë persona.

Filipinet shtrihen në të ashtuquajturën “unazë e zjarrtë” e Paqësorit, e cila është rajoni me aktivitetin më të lartë sizmik në planet, prandaj goditen shpesh nga tërmetet, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)