Njëri prej tyre u ekzekutua dje/ Si iu bashkuan vëllezërit Boriçi bandës së Aldo Bares

  • 15 December 2019 - 10:22
Njëri prej tyre u ekzekutua dje/ Si iu bashkuan vëllezërit Boriçi bandës së Aldo Bares

Pas vrasjes së vëllait të tij, Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën “Bandë e Lushnjës”.

Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të Aldo Bares e vëllait të tij, Ramadan Shkurtit. Pikërisht në këtë periudhë, më datë 03.08.1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas, Xhevat Demiri.

“Në muajin korrik të vitit 1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i Alfred Shkurtit, me emër të ndryshuar Aldo Bare.

Në këtë datë Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija, janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja. Kur janë afruar rreth disa metra, Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur në automjet, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Pas fillimit të goditjes, edhe nga ana e lokalit kanë nisur të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. 

Po këtu, nën shoqërinë e Artur Dajës, ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj. Pas shkëmbimit të zjarrit, i pandehuri Aldo Bare së bashku me shtetasin e plagosur aty, Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit.

Në vendngjarje dhe pikërisht në automjet mbetën të plagosur shtetasit Ramadan Shkurti dhe Bardhyl Rabija.

Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur po ashtu dhe shtetasi Artur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, i qëllon me armë zjarri duke iu shkaktuar vdekjen.

Ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe të pandehurit Aldo Bare ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare ka akuzuar Artur Dajën. Për këtë arsye, së bashku me grupin e tij, Aldo Bare ka tentuar disa herë të vrasë shtetasin Artur Daja. Më 21.10.1998, në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor të shpërndara.

Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal, të drejtuar nga Aldo Bare, kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës, Artur Daja. Ndërmjet tyre, në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Boriçi, Erion Çiçi, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj.”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

(Kosova Sot Online)