Një fëmijë i vdekur e disa persona të lënduar nga tërmeti në Filipine

  • 15 December 2019 - 12:10
Një fëmijë i vdekur e disa persona të lënduar nga tërmeti në Filipine

Zyrtarët filipinas njoftuan se një fëmijë ka vdekur, disa persona janë lënduar dhe shumë ndërtesa janë dëmtuar nga tërmeti prej 6.8 ballësh që e goditi qytetin jugor, Davao.

Anthony Allada, zyrtar për informim publik, tha se 14 persona janë lënduar nga tërmeti, por asnjëri prej tyre nuk është i lënduar rëndë. Ai shtoi se nga dridhjet janë dëmtuar disa rrugë dhe ndërtesa, përfshirë ndërtesën e qeverisë lokale.

Ky rajon është goditur disa herë nga tërmetet në muajt e fundit. Pavarësisht fuqisë së dridhjes, autoritetet nuk kanë lëshuar alarm për cunami. 

Epiqendra e këtij tërmeti të fuqishëm ishte 61 kilometra në jugperëndim të qytetit Davao, në ishullin Mindanao, ndërsa thellësia e tij ishte 28 kilometra nën sipërfaqen e tokës.

Qendra Paralajmëruese e Cunameve në Paqësor tha se, mbështetur në të dhënat e tanishme, nuk ekziston ndonjë rrezik për cunami.

Ky rajon u godit nga tri tërmete në tetor dhe një tjetër në nëntor, me ç’rast mbetën të vdekur së paku pesë persona.

Filipinet shtrihen në të ashtuquajturën “unazë e zjarrtë” e Paqësorit, e cila është rajoni me aktivitetin më të lartë sizmik në planet, prandaj goditen shpesh nga tërmetet, shkruan “Reuters”,.

(Kosova Sot Online)