“Skenari i koordinuar”, paralajmërohet destabilizimi i Kosovës

  • 16 December 2019 - 07:33
“Skenari i koordinuar”, paralajmërohet destabilizimi i Kosovës

“Duket se aktualisht është duke u zhvilluar skenari i çrregullimeve dhe i konflikteve të mëdha në Kosovë. Tamam po mendon njeriu se kemi politikan dhe sistem të drejtësisë që nuk punojnë për gjë tjetër, veç për të treguar se ky shtet nuk funksionon dhe se duhet zgjidhje tjetër, mos edhe ndarje të territorit. Shikuar juridikisht LPPK është një ligj deri diku mjaft pozitiv. Nuk dua të them se nuk ka dobësi, por ato kanë mundur të eliminohen me amendamente brenda një afati shumë të shkurtër, që të përmirësohen. Por jo kështu”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ta pezullojë zbatimin e Ligjit për pagat deri më 30 mars të vitit 2020. Njoftimi për këtë masë të përkohshme është bërë përmes një komunikate drejtuar medieve, kurse shumë sindikata të sektorit publik në vend, kanë organizuar grevë paralajmëruese në kundërshtim të këtij vendimi, duke paralajmëruar edhe grevë të përgjithshme.

Njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë, e kanë cilësuar këtë veprim me ligjin e pagave në këtë kohë si një skenar të koordinuar për destabilizimin e situatës politike në Kosovë, gjë që rrezikon ta dërgojë shtetin drejt kolapsit, dhe situata të dal edhe jashtë kontrollit.

Lidhur me këtë situatë të krijuar nga ky procedim i vonuar i ligjit në Gjykatën Kushtetuese qëllimisht, për “Kosova Sot Online” ka folur profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, sipas të cilit ky veprim është vetëm një nga anomalitë e shumta të këtij shteti, e që tregon se sa e padrejtë dhe sa e ndikuar nga politika dhe grupet e interesit është Gjykata Kushtetuese.

Image
Muhamet Kelmendi

“Mu ky fakt tregon se Gjykata Kushtetuese nuk është fare kushtetuese. Ajo është gjykatë e subjekteve politike, kryesisht e PDK-së dhe e LDK-së, të cilët edhe i kanë votuar në Kuvendin e Kosovës gjyqtarëve e kësaj përbërje të Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtarët aty janë thjeshtë pa asnjë dije kushtetuese”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

E sipas Kelmendit, akoma më skandaloz është veprimi i Avokatit të Popullit, i cili është i thirrur t’i mbrojë të drejtat e njeriut, kurse në këtë rast ai bënë shkeljen më të rëndë të këtyre të drejtave.

“E keqja edhe më e madhe është Avokati i Popullit. Ky për çdo ditë ka informacione mbi shkeljet të drejtave të njeriut, të kushtetutës, e deri në shkeljen e sovranitetit dhe të integritetit territorial, mbi lloj lloj të veprave të ndryshme, shkeljeve dhe anomalive te mëdha politike të te gjitha niveleve, dhe kurrë Avokati i Popullit nuk bëri padi në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet e tilla”, shtoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, prapa këtij veprimi nuk ka gjë tjetër, veç skenar i mirë menduar për destabilizimin e rrezikshëm të shtetit, që mundë të ketë edhe përmasa tragjike.

“Duket se aktualisht është duke u zhvilluar skenari i çrregullimeve dhe i konflikteve të mëdha në Kosovë. Tamam po mendon njeriu se kemi politikan dhe sistem të drejtësisë që nuk punojnë për gjë tjetër, veç për të treguar se ky shtet nuk funksionon dhe se duhet zgjidhje tjetër, mos edhe ndarje të territorit. Shikuar juridikisht LPPK është një ligj deri diku mjaft pozitiv. Nuk dua të them se nuk ka dobësi, por ato kanë mundur të eliminohen me amendamente brenda një afati shumë të shkurtër, që të përmirësohen. Por jo kështu”, theksoi profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjykatësit e pa merituar dhe të pa aftë që mbajnë ato pozita, të varur nga politika që i ka dërguar dhe zgjedhur aty, për vete marrin paga të majme 2000-3000 Euro në muaj, dhe nuk brengosen fare pse nën telekomandën e politikes, dhe me jo profesionalizmin e tyre, marrin vendime të tilla që mundë ta destabilizojnë dhe shkatërrojnë vendin.

“Ata nxjerrin vendime edhe për të krijuar konflikte dhe mosmarrëveshje të mëdha. Dhe kjo ka filluar veç duke provokuar me grevistët. Jam tërësisht kundër këtij vendimi dhe kundër kësaj Gjykate dhe këtyre gjykatësve të dobët dhe tejet injorant për shoqërinë tonë. Por, jo që sistemi është dështak. Ndërsa Gjykata Kushtetuese tërësisht është e pa aftë dhe injorante, ndaj jemi kësi lloj të vendimeve por po kjo gjykatë nuk jep mendime për problemet tjera më serioze që i ka vendi”, deklaroi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Kelmendi akuzon qeveritarët dhe Gjykatën Kushtetuese, që asnjëherë deri më tani nuk u morën me interpretime juridike e politike të pavarura mbi shkeljet kushtetuese në nivel të lartë të shtetit dhe Republikës. Ai shton se

“Vendimi për pezullimin e ligjit për pagat është po aq i dëmshëm sa edhe vendimet e mëhershme, si ai për pronat e përreth manastirit të Deçanit e shumë vendime të tjera kundër kushtetuese, ndaj të cilave ka heshtur Qeveria por edhe Kuvendi. Me të drejtë shtrohet pyetja se pse Kuvendi kurrë nuk u morr me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e pa drejta! A është turp për Gjykatën Kushtetuese vendimi i nxjerr mbi tokën e deçanasve, që ua mori kjo Gjykatë Kushtetuese dhe ja dha kishës- manastirit të Deçanit! Vërtetë na duhet të shtrojmë pyetje dhe të shohim se deri kur kështu me këtë sistem antishtetëror të të gjithë sistemit të drejtësisë. Vallë, a është aty Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e kushtetutshmërisë në dhe për të bërë politikën e ndokujt tjetër në këtë shtet? Kjo duhet të sqarohet sepse kështu si po veprohet ky është kulmi i turpit”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)