Kurti e Mustafa sot s’kanë lënë takim, a do të shihen gjatë ditës?

  • 16 December 2019 - 11:24
Kurti e Mustafa sot s’kanë lënë takim, a do të shihen gjatë ditës?

Edhe sot nuk është paraparë ndonjë takim në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për t’u marrë vesh për koalicionin, kanë bërë të ditur burime brenda partive.

Takimi i së shtunës që zgjati më shumë se tre orë nuk shënoi asnjë progres në bisedimet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti që po synojnë së bashku krijimin e koalicionit qeverisës.

As Albin Kurti e as Isa Mustafa nuk hoqën dorë nga kushtet që dhanë. LDK as atë ditë nuk është sprapsur nga kërkesa për pozitën e të parit të shtetit.

Derisa kjo çështje po mbetet kushti kryesor që po i lë pa marrëveshje dy partitë që kishin premtuar se do të formonin koalicionin 72 orë pas certifikimit, as sot me gjasë nuk do të shihen Kurti dhe Mustafa. Kështu të paktën kanë deklaruar deri më tani burime brenda partive.

Takimet e fundit në mes të dy liderëve, në fakt nuk patën asnjë progres sa i përket kësaj marrëveshje.

LDK e VV i kanë kryer diskutimet për çështjen e ministrive, e pozitave tjera, derisa, merret vesh që në takimet që ndodhën pasi Mustafa vuri në tavolinë të diskutimit pozitën e presidentit, kjo temë ka qenë arsyeja kryesore që po i lë pa u marrë vesh. 

Dy liderët kanë pasur takime maratonike gjatë javës së kaluar, derisa, u mbeten edhe pak ditë nëse merren vesh që të zyrtarizojnë marrëveshjen, para shkuarjes në seancën konstituive të thirrur nga presidenti, Hashim Thaçi.

Mospajtimet VV – LDK janë shpërfaqur edhe gjatë vikendit, kur nga të dy partitë pati reagime sa i përket kushteve që kanë vënë.

Deputeti i zgjedhur i VV’së, Haki Abazi tha se nuk i takon LDK’së, që të kërkojë presidentin.

Atij i reagoi Shpend Manaj, deputeti i LDK’së që ia kujtoi atij rastin e Ibrahim Rugovës në vitin 2001 kur LDK mori edhe postin e presidentit.

(Kosova Sot Online)