Tmerr: Familja kapet duke e varrosur për së gjalli vajzën e padëshiruar

  • 16 December 2019 - 11:31
Tmerr: Familja kapet duke e varrosur për së gjalli vajzën e padëshiruar

Policia në Hyderabad të Indisë e ka shpëtuar një foshnjë të gjinisë femërore në kohën kur familja e saj ishin përgatitur për ta varrosur për së gjalli në një gropë të hapur shpejt e shpejt.

Në disa pamje të publikuara në internet shihen disa policë që përballen me një burrë që mban në duar një grumbuj batanijesh, përderisa një burrë tjetër aty afër e hap një gropë në tokë.

Përderisa një polic bisedon me njërin prej burrave, personi i dyshuar e pranon se ishin në proces të varrosjes së foshnjës për shkak se, sipas tij, ajo kishte vdekur në spital pak më herët.

Megjithatë, foshnja në ato çaste filloi të lëvizte. Shpejt u kuptua se burri që po e mbante në duar foshnjën e mbështjellur me batanije ishte gjyshi i saj. Ai tha se kur mori vesh që vajza e tij kishte lindur vajzë, bashkë me familjen vendosi që foshnjën të mos e dërgonin fare në shtëpi.

Gjyshi i foshnjës dhe një burrë tjetër, i cili gjithashtu ishte një i afërm i familjes, u arrestuan nga policia dhe më vonë u liruan, pas dhënies së deklaratave në stacionin policor.

Sipas tabloidit “Daily Mail”, foshnja është duke u trajtuar në spital, ndërsa autoritetet indiane i kanë nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Ky incident u zbulua nga një taksist, i cili e informoi policinë pasi i kishte parë këta dy burra duke bërë sjellje të çuditshme, ku njëri prej tyre e mbante një çantë, ndërsa tjetri e hapte një gropë.

India ende mbetet vend me shkallë të lartë të mbytjes së foshnjave të gjinisë femërore, sepse ato vlerësohen si barrë financiare për familjen shkaku i prikës që duhet dhënë kur ato të martohen, shkruan “Straits Times”.

(Kosova Sot Online)