Trump-i e kërcënon me burgim ish-shefin e FBI-së shkaku i raportit për Rusinë

  • 16 December 2019 - 11:44
Trump-i e kërcënon me burgim ish-shefin e FBI-së shkaku i raportit për Rusinë

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, i cili është bërë halë në sy për presidentin amerikan, Donald Trump, pranoi të dielën se ka qenë përgjegjës për mungesën e kujdesit dhe vëmendjes lidhur me menagjimin e mbikëqyrjes së këshilltarit për fushatë të kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Ai gjithashtu e mbrojti veten dhe byronë që e ka udhëhequr ndaj dyshimeve për anësi politike, duke e nxitur kërcënimin me burgim nga presidenti Trump.

Comey, i cili në vitin 2017 ishte shkarkuar nga pozita e shefit të FBI-së, u përgjigj në shumë pyetje gjatë një emisioni televiziv të së dielës. Vëmendja më e madhe ishte për përgjigjet e tij rreth gjetjeve të raportit të inspektorit të përgjithshëm sa i përket hetimeve të FBI-së për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Ai tha se në raportin e inspektorit Michael Horowitz nuk jepen dëshmi të anësisë politike gjatë hetimeve dhe u ankua për trajtimin që presidenti Trump ia ka bërë atij dhe kolegëve të vet.

“FBI-ja është akuzuar për tradhti kombëtare, për spiunazh ilegal, për hapje të një hetimi pa justifikim, për konspiracion kriminal për rrëzimin e presidentit. Asnjëra prej këtyre akuzave nuk ka kuptim”, tha ai.

Pas kësaj deklarate, i menjëhershëm ishte reagimi i presidentit Trump. Ai tha: “Pra, tash Comey po e pranon se ishte gabim. Por ai po e bënë këtë vetëm pasi u kap në vepër. Ai në të vërtetë është kapur para një kohe të gjatë. Atëherë, cilat janë pasojat e sjelljes së tij të paligjshme? A do të mund të ishin disa vjet burgim? Ku është kërkim-falja ndaj meje dhe të tjerëve, Jim?”, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)