Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje për bisedime Koresë Veriore

  • 16 December 2019 - 12:43
Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje për bisedime Koresë Veriore

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara, Stephen Biegun, ka kërkuar nga Koreja Veriore që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, duke thënë: “Ne jemi këtu, ta kryejmë këtë punë”.

Komentet e tij, të bëra në Seul të Koresë Jugore, erdhën pasi Koreja Veriore kreu teste raketore në një qendër për lëshimin e satelitëve disa ditë më parë.

Koreja Veriore ia ka caktuar një afat Shteteve të Bashkuara që deri në fund të këtij viti të sjellin propozim të ri për marrëveshjen e çarmatosjes, përfshirë lirimin e vendit komunist nga sanksionet amerikane. 

Për më tepër, vendi komunist më herët i ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara se do t’ua japë një dhuratë për Krishtlindje, nëse ato nuk e respektojnë këtë afat.

Biegun tha se deklaratat e Pjongjangut janë armiqësore, negative dhe shumë të panevojshme, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara e kanë një qëllim, e jo një afat.

Ai më tej i bëri thirrje Koresë Veriore që t’i vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara, duke thënë: “Është koha që ne ta kryejmë punën tonë. Ta kryejmë tërë këtë. Ne jemi këtu dhe ju e dini si të na qaseni”.

Sidoqoftë, presidenti amerikan, Donald Trump, më parë ka paralajmëruar se nuk do t’ia largojë sanksionet Koresë Veriore derisa ky shtet të tërhiqet plotësisht nga programi i vet bërthamor, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)