Boeing po e shqyrton ndërprerjen e prodhimit të modelit famëkeq, 737 Max

  • 16 December 2019 - 14:17
Boeing po e shqyrton ndërprerjen e prodhimit të modelit famëkeq, 737 Max

Prodhuesi amerikan i aeroplanëve civilë, Boeing, është duke e shqyrtuar mundësinë e ndërprerjes ose zvogëlimit të prodhimit të modelit 737 Max. Lajmin e bëri të ditur një burim i afërt i qarqeve vendimmarrëse në këtë kompani.

Sipas këtij burimi, prodhimi i këtij modeli të aeroplanëve mund të zvogëlohet edhe më shumë ose të ndërpritet për periudhë të pacaktuar.

“Nëse ata marrin vendim që ta ndërpresin prodhimin, kjo do të ishte një ndërprerje e përkohshme”, tha ky burim, duke shtuar se prodhimi i këtij modeli ka mundësi të vazhdojë përsëri më vonë.

Shefi ekzkekutiv i kësaj kompanie, Dennis Muilenburg, kishte paralajmëruar në korrik të këtij viti se Boeing mund të detyrohet ta zvogëlojë ose ndërpresë prodhimin e modelit 737 Max, nëse procesi për rifitimin e miratimit për fluturime shtyhet pas çerekut të katër të 2019-s.

Se ky miratim do të shtyhet së paku për vitin e ardhshëm u kuptua pas takimit të zhvilluar mes përfaqësuesve të kompanisë Boeing dhe Administratës Federale të Aviacionit në Shtetet e Bashkuara.

Të gjithë aeroplanët e këtij modeli u hoqën nga përdorimi në muajin mars pas dy aksidenteve fatale në tetor të vitit 2018 dhe në mars të këtij viti, në të cilët vdiqën 346 njerëz, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)