Serbia shpërblen me pozita funksionarët e Listës Serbe

  • 17 December 2019 - 10:53
Serbia shpërblen me pozita funksionarët e Listës Serbe

Gjatë muajve të fundit, Qeveria e Serbisë ka miratuar një numër vendimesh përmes së cilave ka emëruar funksionarë të Listës Serbe dhe figura jopartiake në një ose më shumë pozicione në sistemin serb.

Shumica e të emëruarve të kësaj liste tashmë kryejnë funksione edhe në sistemin e Kosovës.

Këto emërime u miratuan në seancën e qeverisë serbe më 21 nëntor.

Me këtë rast, Kryetari i Mitrovicës së Veriut njëherësh kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq, Kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërxhan Popoviq, ish-Ministri i Administratës dhe Pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq si dhe nënkryetarja e Listës Serbe, Vinka Radosavljeviq kanë marrë pozita në Këshillin e Universitetit paralel të Prishtinës.

Ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, i cili u “shpërblye” nga Serbia  është dënuar ditë më parë nga autoritetet kosovare me dy vjet burgim për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Deputeti i zgjedhur Aleksandar Martinoviq dhe profesori Milan Milisavljeviq u emëruan në Këshillin e Universitetit paralel të Prishtinës.

(Kosova Sot Online)