Çka ndodh nëse Albin Kurti dështon të zgjidhet kryeministër?

  • 17 December 2019 - 11:34
Çka ndodh nëse Albin Kurti dështon të zgjidhet kryeministër?

26 dhjetori është data kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për seancën e parë konstituive.

Rregullorja e Kuvendit njofton se punimet e mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, i udhëheq deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës. Punimet e mbledhjes së parë do t’i udhëheqin dy deputetët e VV-së, Jahja Kokaj dhe Fjolla Ujkani.

Ndërsa, për formimin e Qeverisë, Thaçi duhet t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër, të partisë që ka më së shumti vota në Kuvend, pra, Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Por, sipas rregullores, në rast se Kurti dështon t’i merr votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeministër, Presidenti Thaçi duhet ta propozojë kandidatin tjetër për kryeministër.

“Nëse Qeveria e propozuar nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës, brenda dhjetë (10) ditëve, e propozon kandidatin tjetër për kryeministër, sipas së njëjtës procedurë. Nëse as në votimin e dytë Qeveria e propozuar nuk i merr votat e nevojshme, Presidenti i shpall zgjedhje të reja për Kuvend. Zgjedhjet mbahen brenda dyzet (40) ditësh, nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në Nenin 29, pika 4.

Ky sqarim ishte bërë në vitin 2014 nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa kërkesa ishte bërë nga Presidentja, Atifete Jahjaga.

(Kosova Sot Online)