Vranë me plumb në kokë efektivin malazez! Brenda banesës së familjes nga Kopliku, flasin banorët

  • 17 December 2019 - 11:48
Vranë me plumb në kokë efektivin malazez! Brenda banesës së familjes nga Kopliku, flasin banorët

Opinioni publik është tronditur nga vrasja e policit malazez nga një familje shqiptare ngjarje e ndodhur ditën e diel në afërsi të Hercegnovit. Ndërkohë po aq të tronditur janë edhe fqinjët e kësaj familje në zonën e Kamicës në Malësinë e Madhe. Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në qytetin bregdetar Igalo rreth 5 km larg kufirit kroat, ku sipas hetimeve paraprake, policin malazez e ka qëlluar me një plumb në kokë një nga djemtë e të moshuarës, Luan Hasanaj 43 vjeç. Ndërsa pas kësaj ngjarje janë arrestuar nga policia ai vetë, së bashku me vëllanë, Lulëzim Hasanaj 49 vjeç dhe nënën Nure Hasani.

Report Tv ditën e sotme ka qenë në këtë fshat, konkretisht në banesën ku familja Hasanaj jetonte në Malësinë e Madhe.

Aty janë ende orenditë shtëpiake, dera është e kyçur por nga dritaret, brenda banesës gjithçka duke normale. Nga ajo që mund të kapi kamera, në shtëpi shihet një televizor i vendosur mbi një tavolinë në korridor si dhe një tavolinë tjetër mbështetur në murë që më shumë mundësi familja Hasanaj ushqehej.

Ndërkohë  në fshatin ku kanë vendlindjen familja Hysenaj banorët tregohen të rezervuar në komentet për ngjarjen e rëndë ku u përfshinë familja Hasanaj. Ata shprehen se shumë pak komunikim kanë patur me ta, ndërsa i ishin shpesh herë që ikin dhe vinin. Një banorë që thotë se ka edhe lidhje gjaku të largëta me ta, thotë që i ka respektuar gjithmonë dhe i njihte si familje e qetë por që në vitin ’97 nuk kanë komunikuar më me ta.

“Kemi 20 vjet që nuk merrna me ta. Nuk kena punë me ta. Vetëm që kalojnë rrugës. Janë rrethanat vetë që na ka çuar. Për ne, varet se si i kanë pas punët. Se pas 90 janë qenë familje, por pas 90 i kanë punët e tyre. Ata kanë punën e vet ne tonën. Shkojnë vijnë shkojnë vijnë. Nuk kena pa polici. Që në 97 e ktej nuk kemi komuniku me ta. Ne i kemi përkrah, por pas atyre viteve nuk merrna me ta.” tha një banor.

Për sa i përket një konflikti të ndodhur në vitin 2018, një banorë i zonë shprehet se ajo nuk ka qenë diçka e madhe pasi sherri ka nisur për disa tulla dhe më pas përfundoi në përplasje fizike, por kishte mbetur me aq.

“Kam qenë në emigrim dhe nuk kam jetuar këtu. Gjynah për çdo gjë. Nuk di gjë. Kam qenë 15 vjet në Itali dhe sdi gjë. Punë fëmijësh kanë qenë zënë në 2018, për një banesë për dy tre tulla. Po rrihen të mëdhenjtë. Janë sjellë shumë mirë. Nuk është respekti që ka qenë më parë. Nuk e di. ” tha një banor.

“Sa kanë qenë këtu kanë qenë të mirë. Pastaj nuk e di. Kur nuk ke kontakt me ta nuk e di. Komshiun e njeh” tha një banor tjetër.

Ndërkohë mediat malazeze kanë zbuluar të tjera detaje për ngjarjen e rëndë. Sipas një artikulli të “Vijesti”, autori i vrasjes, Luan Hasanaj donte të vriste dhe oficerin tjetër të Policisë.

Referuar burimeve nga policia malazeze, 43 vjeçari shqiptar pasi qëlloi me armë oficerin e policisë Milutin Lekoviç, u përpoq të vriste kolegun e tij, Aleksandër Kilibard, por arma e tij u bllokua. 

Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë ku Nure Hasanaj dhe dy djemtë Luan dhe Lulëzim Hasanaj, dyshohet të kenë kaluar në këmbë kufirin nga Kosova për në Mal të Zi.

Ata janë ndaluar nga autoritetet e kufirit për shkak se ishin pa dokumente identifikimi, ndërsa në momentin e ndalimit kanë thënë se janë nga Kosova. Të tre janë marrë me një makinë policie për t’u shoqëruar në komisariatin e Policisë së Herceg Novit.

Pasi u vendosën në sediljen e pasme të makinës së policisë, tre shqiptarët shkëmbyen disa fjalë në shqip, dhe më pas Luani ka nxjerrë nga një qese, të cilën e mbante në dorë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në kokë policin Lekoviç në pjesën e pasme të kokës.

Por ata nuk janë mjaftuar me kaq. Pasi kanë vrarë policin, nëna e moshuar me dy djemtë kanë dalë nga makina dhe kanë vrapuar të kalojnë në këmbë kufirin kroat. Ata u arrestuan pas një shkëmbimi zjarri me policinë në vendin e quajtur Fusha e Sutorinit, teksa tentuan të kalonin në Kroaci. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur në dorë edhe Luan Hasanaj, autori i vrasjes së policit.

Sipas mediave malazeze kur nëna me dy djemtë e saj u rrethuan nga policia, Luan Hasanaj tërhoqi armën dhe qëlloi makinën, pavarësisht paralajmërimeve të policisë. Në këtë moment policia e qëlloi në dorën ku mbante armën, duke e bërë atë të paaftë për të vijuar shkëmbimin e zjarrit, çka solli edhe arrestimin  e tij.

Nga verifikimet e kryera, Luan Hasanaj rezulton një person me precedent penalë. 43 vjeçari kërkohej nga autoritetet shqiptare për tentativë vrasje në bashkëpunim.

Në 5 maj të vitit 2008 ai ka plagosur me armë zjarri në fshatin Kamicë të Malësisë së Madhe, Ylli Berishën. Për ngjarjen është arrestuar vëllai i tij, Lulëzim Hasanaj, ndërsa Luani u shpall në kërkim pasi mundi të largohej.

Nëna dhe dy djemtë akuzohen për veprat penale, vrasjen e një efektivi policie, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje  kalim i paligjshëm i kufirit.

(Kosova Sot Online)