Kurti dhe Konjufca sot dëshmojnë për kallëzimin penal për Thaçin e Veselin

  • 18 December 2019 - 07:54
Kurti dhe Konjufca sot dëshmojnë për kallëzimin penal për Thaçin e Veselin

Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë sot do të dhënë dëshminë e tyre kreu i VV’së, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, deputeti i zgjedhur lidhur me kallëzimin penal për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK’së Kadri Veselin.

Me 25 prill të këtij viti kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe asokohe kryetari i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, kishin bërë kallëzim penal në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë.

Kurti dhe Konjufca pretendojnë se Thaçi e Veseli nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës “Organizata Syri i Popullit”, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se dy anëtarët e VV-së janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast dhe kanë mbërritur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori sot e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që është ngritur. 

Atë kohë, pasi që dorëzuan kallëzimin penal Konjufca i cilësoi dëshmitë e Thaçit e Veselit kundër Lëvizjes si “përpjekje për eliminim politik të Vetëvendosjes, meqë padrejtësisht dhe me shpifje, prej Presidentit të Shtetit dhe Kryetarit të Kuvendit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit”.

(Kosova Sot Online)