Gjykata Supreme e Indisë refuzon suspendimin e ligjit për shtetësinë, vazhdojnë protestat

  • 18 December 2019 - 12:27
Gjykata Supreme e Indisë refuzon suspendimin e ligjit për shtetësinë, vazhdojnë protestat

Gjykata më e lartë në Indi, Gjykata Supreme, të mërkurën ka marrë vendim që t’i shtyjë seancat dëgjimore për thirrjet kundër zbatimit të ligjit kundërthënës për dhënien e shtetësisë për pakicat fetare të shteteve fqinje, pa i përfshirë myslimanët.

Në mbarë vendin kanë shpërthyer protesta dhe kundërshtime për këtë ligj. Ato filluan javën e kaluar dhe po vazhdojnë edhe këtë javë. Analistët thonë se ky projektligj i vë në rrezik themelet e shtetit laik.

Sipas këtij ligji, hindusët, të krishterët dhe pakicat e tjera fetare që jetojnë në Indi ilegalisht, por që arrijnë ta dëshmojnë përndjekjen për shkak të fesë në shtetet fqinje, mund ta fitojnë shtetësinë indiane. Megjithatë, e njëjta mundësi nuk vlen për myslimanët.

Kritikët besojnë se ky ndryshim është pjesë e agjendës së qeverisë nacionaliste të Narendra Modi-t për margjinalizimin e komunitetit mysliman në Indi, i cili përbëhet nga 200 milionë njerëz.

Pjesë e protestave masive dhe të dhunshme javën e kaluar u bënë edhe studentët e universiteteve. Javën e kaluar, policia përdori gaz lotsjellës dhe i rrahu protestuesit e paarmatosur për ta shtypur kryengritjen e tyre.

Të mërkurën, autoritetet i forcuan masat e sigurisë duke e futur në fuqi orën policore në rajonin verilindor të Assam-it, shkruan “France24”.

(Kosova Sot Online)