Ekspertët gjermanë në janar vijnë në Kosovë për sigurimet shëndetësore

  • 18 December 2019 - 14:08
Ekspertët gjermanë në janar vijnë në Kosovë për sigurimet shëndetësore

Në janarin e viti 2020, një grup prej disa ekspertëve nga Gjermania do të zbarkojnë në Kosovë. Këta pritet që të ndihmojnë autoritetet vendore në implementimin e skemës për sigurimet shëndetësore. Skemë kjo e cila që disa vite iu mungon kosovarëve.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë ditës së sotme e ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn. Përmes kësaj letre, ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn konfirmoi gatishmërinë e shtetit pjesë e cilit ai është për ndihmë ndaj Kosovës në krijimin e sigurimeve shëndetësore.

Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nis menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti.

Gjatë një konferencë për media të mbajtur sot nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, Ministri Ismaili ka thënë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është një hap i madh drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.

 “Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili. Sipas Ministrit Ismaili projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.

Në anën tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, theksoi: “Jemi krenarë që pas punës intensive të të dy ministrive tona të shëndetësisë, janë harmonizuar hollësitë e bashkëpunimit tonë në ngritjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës. Ne jemi të bindur që me një përkushtim të madh të Qeverisë së Kosovës dhe punën e përbashkët të të gjithë akterëve të përfshirë, mund të arrihet përparim thelbësor për qytetarët.”

(Kosova Sot Online)