VV u takua mbrëmë me delegacionin gjerman, folën për ngecjet në formim të qeverisë

  • 19 December 2019 - 10:25
VV u takua mbrëmë me delegacionin gjerman, folën për ngecjet në formim të qeverisë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se së bashku me kryetarin e partisë, Albin Kurti janë takuar mbrëmë me deputetët gjerman që po qëndrojnë në vend për të diskutuar për koalicionin VV – LDK.

Përmes një shkrimi në Facebook, Bislimi  ka shkruar se bashkë me Kurtin janë takuar mbrëmë në rezidencën gjermane, me Peter Bayer dhe Christian Schmidt.

“Bashkë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, mbrëmë në rezidencën gjermane patëm një takim shumë konstruktiv me deputetët e Bundestagut Gjerman dhe anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, z. Peter Bayer dhe z. Christian Shmidt si dhe me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt”, thotë Bislimi.

Sipas tij, gjatë takimit, deputetët janë interesuar për mbarëvajtjen e bisedimeve për koalicion.

“ Gjatë takimit, deputetët u interesuan për mbarëvajtjen e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës, elementet kryesore të dakorduara në programin qeverisës si dhe për arsyet dhe pasojat eventuale nga ngecjet momentale në këtë proces. U potencua nga të dy palët rëndësia që ka finalizimi i suksesshëm i negociatave, në mënyrë që vullneti i shumëpërmendur i qytetarëve për ndryshim rrënjësor, në asnjë rrethanë të mos vihet në pikëpyetje”, thotë Bislimi.

Ndryshe, dy deputetët gjermanë janë takuar sot gjatë ditës edhe me liderin e LDK’së, Isa Mustafën dhe me nënkryetarët e partisë.

Të njejtët sot në ora 11:00 do të ju drejtohen mediave përmes një konference.

(Kosova Sot Online)