Apostolova: Nevojitet formim i shpejtë i qeverisë, besojmë që palët do të gjejnë konsensus

  • 19 December 2019 - 10:43
Apostolova: Nevojitet formim i shpejtë i qeverisë, besojmë që palët do të gjejnë konsensus

26 dhjetori është caktuar nga presidenti i Kosovës, si datë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe përkundër kësaj, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

E duke parë këtë situatë ka reaguar sot edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke kërkuar konstituim sa më të shpejtë të Kuvendit dhe krijim sa më të shpejtë të qeverisë.

Në një komunikatë të lëshuar për media, thuhet se është e nevojshme që të themelohet institucionet e reja për shkak të çështjeve ekonomike dhe gjithashtu vazhdimit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet në reagim.

Gjithashtu janë përmendur reformat që duhet të ndërmerren në fushën e zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit.

“Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja”, vazhdon reagimi.

Ndër të tjera nga Zyra e BE’së besojnë që LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje do të gjejnë një pajtim për të tejkaluar sfidat e mbetura.

“Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik. Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura”, potencohet ndër të tjera.

(Kosova Soit Online)