Skandali me veteranin e UÇK-së: U varros pa gjymtyrë, dora e këputur u ‘harrua’ në frigoriferët e QKU-së

  • 19 December 2019 - 11:35
Skandali me veteranin e UÇK-së: U varros pa gjymtyrë, dora e këputur u ‘harrua’ në frigoriferët e QKU-së

Institucionet publike shëndetësore kanë bërë një skandal me punëtorin e ndjerë, veterani i UÇK-së Shefqet Fetahaj, i cili u varros pa dorën e këputur. Dorën nuk e kishte kërkuar as Mjekësia Ligjore, ndërsa familja nuk dinte asgjë

Punëtori nga Peja Shefqet Fetahaj ndërroi jetë më 5 dhjetor të vitit të kaluar, pas dy operacioneve në Qendrën Klinike Universitare. Fetahaj dy ditë më herët kishte këputur dorën gjatë një aksidenti në vendin e tij të punës.

Familja kishte kërkuar t’i kryhej obduksioni, por në Mjekësinë Ligjore bashkë me trupin nuk shkoi edhe dora e këputur. Nuk dihet se në çfarë rrethana u ‘harrua’ gjymtyra e të ndjerit dhe as pse mjekët e IML-së nuk e kërkuan gjatë obduksionit.

Për krejt këtë ngjarje familja nuk ishte në dijeni fare dhe në këto rrethana ata e varrosën të ndjerin sipas traditës. Pasi u krye varrimi dhe e pamja, disa familjarë të ngushtë e morën vesh se çfarë ka ndodhur. Me këtë rast ata kërkuan dorën në Morgun e QKUK-së e cila iu dha me urdhër të Prokurores nga Peja. 

Familja thotë se kanë dyshuar në trajtimin profesional nga mjekët e QKUK-së, prandaj kanë kërkuar që t’i kryhet obduksioni, por ngjarjen e ndodhur e quajnë një tragjedi tjetër pas vdekjes “Këtu ka ndodhur edhe një tragjedi tjetër. Kur është dërguar trupi për obduksion, dora e këputur është futur në frizat e QKUK-së dhe nuk është dërguar me trupin. Pasi e kemi varrosur e kemi kuptuar se mungon dora. Më pas e kemi marr dorën me urdhër të Prokurorisë dhe e kemi varrosur afër trupit. Kjo është vdekja e dytë për Shefqetin dhe e treta po ndodh me mungesën e drejtësisë”, kanë deklaruar familja për Shneta.

Ata thonë se prokuroria në Pejë ka deklaruar se nuk mund të vazhdojnë rastin pa u kompletuar lënda me raportin nga obduksioni. Gazeta ka marr vesh nga burime brenda IML-së se raporti nuk është kryer ende nga mjeku i cili e ka pasur rastin Dr. Naim Haliti. Gazeta në raportimin e parë për këtë rast para dy javësh ka tentuar disa ditë radhazi të kontaktojë me Halitin, por i njëjti nuk ka pasur qasje.

Fetahaj ishte operuar ditën e parë nga kirurgu Dr. Elmi Olluri, i cili kishte provuar që t’ia ngjes dorën e këputur. Të nesërmen gjendja e pacientit ishte përkeqësuar dhe Olluri e kishte futur sërish në sallë për t’ia hequr dorën, dhe më pas pacienti kishte ndërruar jetë.

“Ne kërkojmë që të zbardhen këto rezultate dhe ta dijmë arsyen e vdekjes së familjarit tonë. Kërkojmë nga organet e hetuesisë që t’i vazhdojnë hetimet për këtë rast dhe fajtorët të dalin para drejtësisë. Ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia të zbardh vdekjen e djalit, babait dhe vëllait tonë”, thuhet në deklaratën e familjes Fetahaj.

Shefqet Fetahaj ndërroi jetë më 5 dhjetor 2018 në QKUK në moshën 42 vjeçare. Ai la pas bashkëshorten me dy djem.

(Kosova Sot Online)