Pas takimit me Vetëvendosjen dhe LDK-në, flet deputeti gjerman

  • 19 December 2019 - 11:57
Pas takimit me Vetëvendosjen dhe LDK-në, flet deputeti gjerman

Pas takimit me kreun e VV’së Albin Kurtin dhe liderin e LDK’së Isa Mustafën, dy anëtarët e Bundestagut gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt kanë folur para gazetarëve në një konferencë për media.

Schmidt ka thënë se koha të cilën e kanë zgjedhur për të ardhur në Kosovë është shumë e rëndësishme, e se kjo javë është vendimtare për shtetin.

“Koha të cilën kemi zgjedhur që ta vizitojmë Kosovën mendojmë se është shumë e rëndësishme. Edhe pse edhe në Berlin kemi përgjegjësi të tjera.

Ne pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në Kosovë, mendojmë se kjo është java vendimtare për vendin tuaj, pikërisht për faktin se periudha të cilën po e nisim tani, është e rëndësishme edhe për krijimin e qeverisë.

Prandaj, për ne është jashtëzakonisht në interes tonin që të bëjmë të qartë që për qeverinë e Gjermanisë zhvillimi në Kosovë është me rëndësi të madhe dhe perspektiva e Kosovës në integrimin evropian gjithashtu”, thotë ai.

Tutje, i njëjti shton se për zhvillimet në Kosovë është e interesuar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel e cila do të informohet për zhvillimet në vend.

“Unë vi nga partia që është edhe pjesë e Partive Popullore Evropiane dhe edhe nga ky aspekt ka qenë kjo vizitë me interes që të zhvillohet në Kosovë, nga ana tjetër jam edhe kryesues i Grupit tim parlamentar, me këtë rast, presidenti Tusk më ka lutur mua që të vi në Kosovë për t’u informuar rreth zhvillimeve aktuale, këtë vizitë e kemi ndërmarrë bashkë me kolegun tim z. Beyer dhe pas së cilës kur të kthemi në Berlin do ta informojmë edhe kancelaren Merkel, e cila interesohet për këtë vizitë. Ne nuk jemi këtu për t’i zhvilluar bisedimet për krijimin e koalicionit”, shton ai.

Deputeti gjerman ka njoftuar se ka pasur takime me krerët e LDK’së dhe VV’së.

“Megjithatë, ne kemi zhvilluar sot takime me partnerët tanë të LDK’së dhe janë edhe persona që ne i njohim, jemi takuar me Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin, dhe e njëjta gjë vlen edhe për kontaktet sa i përket z.Albin Kurtit, që po ashtu nuk e kemi takuar për herë të parë në Kosovë, por, në rrethana konkrete e kemi takuar edhe atë.

Për sa i përket takimit me përfaqësues të tjerë, ka të bëjë vetëm ekskluzivisht me terminët tona agjendën e ngjeshur, faktin që s’mundëm ta takojmë z. Kryeministër, i cili po ashtu është i interesuar për vizitën tonë”, shton ai, derisa, ka përmendur edhe integrimin e Kosovës.

“Për sa i përket temave që prekin politikën e jashtme ne do të kishim disa udhëzime, kjo ka të bëjë së pari me atë që ne rrugën e Kosovës për integrimin evropian nuk e shohim që të jetë me e lehtë, në qoftë se vazhdojmë të flasim për shkëmbim territorial, përkundrazi mendojmë se kjo çështje është jashtëzakonisht e rrezikshme”, thotë ai.

Sa i përket bisedimeve për koalicion mes VV e LDK’së, ai ka thënë se nuk është e thënë që të krijohet një martesë dashurie, por, që të ndërtohet një bashkëpunim. 

“Në këtë rast nuk është e thënë që të krijohet një martesë dashurie, ndërsa për ta ilustruar vetëm pak këtë që e thashë, njëri nga presidentët e Gjermanisë, nëse e don vendin e tij, ai ka thënë e dua gruan time, prandaj ajo që dua të them është se nuk duhet të krijohen lidhje dashurie, ajo që ka rëndësi është që të ketë besim në mes të palëve, kjo është serioze dhe megjithatë do të kisha pasur një rekomandim, marrë parasysh edhe përvojën time, ekziston një rregull e artë. Më duhet ta them, në coftë se bisedimet për koalicione, për formim janë në vazhdim e sipër, rregulla është që mikrofoni dhe jo telefoni.

Dhe e dimë duke e ditur se z.Kurti është sot në Romë, rregulla që vlen në Vatikan, derisa njerëzit janë të mbyllur nuk duhet folur”, thotë ai, teksa shton se duhet të krijohet një qeveri stabile.

“Ne me ata të cilën kemi biseduar jemi të gjithë të të njejtit mendim, që për një vend që sapo ka dalur nga zgjedhjet parlamentare është e rëndësishme që të ketë një qeveri stabile, e që të mos ketë lojëra taktike, dhe mendoj që modeli Spanjoll nuk është për t’u imituar. Më e rëndësishme në politikë është që të kihet besim.

Ka mbetur edhe një javë kohë deri në konstituimin e parlamenti, që do të thotë se nuk ka shumë kohë, megjithatë pritja jonë është meqenëse këtë e kemi ndjerë gjatë bisedave që kemi zhvilluar, kur bisedojnë me njëri tjetrin atëherë mund edhe të gjendet zgjidhja.

Dhe ne këtë e kemi ndjerë te të dyja grupet me të cilat kemi biseduar se ka një përkushtim nga të dyja anët”, ka shtuar tutje.

(Kosova Sot Online)