Beyer thirrje për LDK’në e VV’në: Thirreni një takim e bëjeni koalicionin

  • 19 December 2019 - 12:02
Beyer thirrje për LDK’në e VV’në: Thirreni një takim e bëjeni koalicionin

Deputeti i partisë së kancelares gjermane Merkel, Peter Beyer, ka thënë se marrëveshja ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk duhet të dështojë për shkak të detajeve teknike.

Beyer ka thënë se palët duhet të kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë që kanë marrë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Gëzohem shumë që jam këtu në Kosovë. Jemi këtu bashkë për herë të dytë brenda vitit. Kemi pasur takime me përfaqësues të dy partive. Mund të konfirmoj që pritjet tona janë që të gjithë partitë të kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë që kanë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, të formojnë një qeveri stabile”, ka thënë Beyer.

Tutje ai ka thënë se 26 dhjetori tashmë është një limit kohor se deri kur mund të arrihet marrëveshja, megjithatë ka specifikuar se nuk janë në Kosovë për të ndërhyrë mes negociatave që po bëhen mes dy partive.

“Kur e them këtë, koha ka shumë rëndësi. 26 dhjetori ka vendosur një limit kohor. Ajo çfarë ne po bëjmë është që nuk po ndërhyjmë brenda negociatave të koalicionit, nuk është qëllimi ynë. Por erdhëm për të dëgjuar rreth bisedimeve që po bëhen. Një gjë që duhet kuptuar që negociatat për koalicion kanë mbërritur një pikë, që të gjithë duhet kuptuar që nuk duhet humbur kohë me detaje teknike. Duhet shikuar në sy njeri tjetrin, pasi që besimi është esenca. Duhet besuar njëri tjetrin dhe nuk duhet humbur në detaje teknike. Koalicioni ka ardhur në një pikë që ata nuk duhet të prishin këtë vullnet në detaje teknike”, ka thënë Beyer. 

Sipas tij nëse ka vullnet atëherë palët nuk duhet të ngecin në detaje teknike. Beyer ka thënë se palët që thërrasin njëra tjetrën për një takim dhe të përfundojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.

“Nëse është ky vullnet politik mes dy partive për të formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve të Kosovës atëherë nuk duhet të ngecin në detaje teknike dhe duhet t’i besojnë njëra tjetrës.Thirrni njëra tjetrën caktojeni një datë të bisedimeve dhe përfundoni marrëveshjen e koalicionit”, ka shtuar tutje Beyer.

Deputeti gjerman ka thënë se gjithashtu presin që mos të ketë ndërhyrje nga jashtë të cilat kanë për qëllim futjen e përçarjes në mes të LDK’së dhe Vetëvendosjes.

Sipas tij tashmë dy partitë nuk duhet të flasin para mediave, por që të thërrasin njëra-tjetrën për takimin e radhës dhe ta përfundojnë kolaicionin.

“Pritjet tona janë që askush nuk duhet të provojë të ndajë palët për të ndërtuar qeverinë. Ky është mesazhi. Gjithashtu pritjet tona janë, që palët te jenë të relaksuara, të mos flasim për media, por të thërrasin njëra tjetrën në telefon dhe të caktojnë një takim”, ka shtuar tutje Beyer.

(Kosova Sot Online)