Ndizet alarmi i kuq për Kosovën: Ky është i gjithë skenari i SHIK-ut dhe nëntokës kriminale

  • 19 December 2019 - 19:55
Ndizet alarmi i kuq për Kosovën: Ky është i gjithë skenari i SHIK-ut dhe nëntokës kriminale

“Mos arritja e marrëveshjes as ndërmjet dy partive më të votuara në vend, jo vetëm se ka topitur dhe zhgënjyer plotësisht qytetarët e Kosovës por edhe i ka vënë ata para dilemës së madhe se ku do të përfundoj vërtetë Kosova në vitin 2020,pasi që me këtë klasë të inkriminuar dhe tërësisht të shantazhuar politike, realisht Republika jonë po shkon drejt zhbërjes së shtetit tonë të brishtë, ndaj habit fakti se si ende po heshtin votuesit e ndërgjegjësuar dhe qytetarët e Kosovës, që jo vetëm nuk po protestojnë por dhe kanë rënë tërësisht në apati”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

 

 

Image
Gani Qarri

Analisti i njohur politik, Gani Qarri konsideron se këtë fund të vitit që po e lëmë pas, dhe hyrjen në vitin 2020, qytetarët e Kosovës po e përjetojnë me zhgënjim të thellë, duke parë se edhe në vitin 2020 Kosova po kalon tërësisht e zhytur në krim të organizuar, e kontrolluar nga bandat politike dhe të nëntokës kriminale. 

Kjo për faktin, që sipas Qarrit shteti i kapur nga krimi i organizuar dhe rrjetet mafioze të strukturave të SHIK-ut, po bëjnë gjithçka për të penguar funksionalizimin e sistemit të sundimit të ligjit.

“Prandaj edhe qytetarët, secili në mënyrën e vetë, po e kërkojnë shpëtimin duke ikur sa më larg Kosovës, kudo që ju jepet shansi dhe mundësia për një jetë të qetë, stabile dhe më të dinjitetshme, ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës pa dallim”, tha Qarri.

Sipas analisti Gani Qarri, kjo gjendje e mjerë dhe e pa shpresë, është krijuar në Kosovë për shkak se strukturat kriminale të SHIK-ut, kanë shtrirë ndikimin e vetë kudo, përveç institucioneve të shtetit që kontrollohen nga ana e tyre, kanë filluar të zgjerojnë rrjetet edhe nëpër disa parti politike. 

“Kjo më së miri po shihet duke vepruar kundër krijimit të koalicionit LVV-LDK. Duket hapur se strukturat e vjetruara dhe bashkëpunëtorët e SHIK-ut, brenda LDK-së,në koordinim me klanet e barrikaduara që kanë kapur shtetin e Kosovës, po bëjnë përgatitjet e fundit, për dështimin përfundimtar të koalicionit ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, si dhe sabotimin e krijimit të qeverisë së re, nga frika e ç`kapjes së shtetit, dhe rrezikimit të interesave të tyre të kundërligjshme që për gjithë këto vite, ata kanë krijuar”, shtoi Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Më tej, Qarri thotë se pikërisht strukturat aktive të SHIK-ut kanë ndërhyrë që LDK të insitojë kaq herët edhe për pozitën e presidentit të Kosovës, prandaj shteti është në rrezik që të mbetet pa institucione dhe i zhytur akoma më thellë në krim të organizuar e korrupsion edhe në vitin 2020.

“Përkundër faktit se këto nuk ishin zgjedhje presidenciale por parlamentare,përveç përpjekjeve për ta vënë plotësisht në kontroll dhe bllokuar tërësisht kandidaten për kryeministër të LDK-së, Vjosa Osmanin, Isa Mustafa dhe Agim Veliu, vazhdojnë me këmbëngulje që të kërkojnë pozitën e presidentit, në mënyrë që të mos arrihet koalicioni dhe formimi i një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti. Kështu që edhe euforia e zgjedhjeve të 6 tetorit, si dhe entuziazmi për ndryshime, sa vije e po bie, madje Kosova po futet ne vitin 2020 e zhytur gjithnjë e më thellë në krim të organizuar, si dhe e kontrolluar tërësisht nga bandat mafio-politike dhe ato të nëntokës kriminale”, deklaroi Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, mos suksesi për formimin e qeverisë së re, po bënë që edhe pas zgjedhjeve shembull dhe aq të suksesshme të 6 tetorit, në Kosovë të vazhdojë të heshtet mos sundimi i ligjit dhe sundimi i krimit të organizuar. 

“Gjë që po shuan edhe shpresat e fundit për qytetarët se vërtetë në këtë vend, do të ketë ndonjëherë sundim të ligjit, ndaj nga dëshpërimi i madh,secili në mënyrën e vet, po përpiqen të kërkojnë shpëtimin duke ikur sa me larg Kosovës. Mos arritja e marrëveshjes as ndërmjet dy partive më të votuara në vend, jo vetëm se ka topitur dhe zhgënjyer plotësisht qytetarët e Kosovës por edhe i ka vënë ata para dilemës së madhe se ku do të përfundoj vërtetë Kosova në vitin 2020, pasi që me këtë klasë të inkriminuar dhe tërësisht të shantazhuar politike, realisht Republika jonë po shkon drejt zhbërjes së shtetit tonë të brishtë, ndaj habit fakti se si ende po heshtin votuesit e ndërgjegjësuar dhe qytetarët e Kosovës, që jo vetëm nuk po protestojnë por dhe kanë rënë tërësisht në apati”, përefundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)