“Dora amerikane”, kjo është shpresa e madhe e kosovarëve për vitin 2020

  • 20 December 2019 - 07:36
“Dora amerikane”, kjo është shpresa e madhe e kosovarëve për vitin 2020

“Për ta pastruar shtetin nga mafia, domethënë nga dora e krimit të organizuar, nga mafia e politikanëve të korruptuar kosovar, por edhe nga mafiozët ndërkombëtar, ndihma e SHBA është jetike. Ndryshe do të shpërbehemi si shtet, por edhe do të asimilohemi dalëngadalë në heshtje, siç po asimilohemi edhe tani, pavarësisht se si shqiptar jemi popull i vjetër këtu, popull autokton”, tha Miftari për “Kosova Sot Online” .

Njohësit e fushës së sigurisë dhe të sundimit të ligjit, të cilët pritën 20 vjet për të parë se si do të ndërtohen institucionet e së drejtës në Kosovën e pas luftës, por që në këtë segment për shtetin u shënuan vetëm dështime, dhe mungesë të llogaridhënies e mos zbatim të ligjit. Pas ndryshimeve politike që po presin të ndodhin në kupolën e qeverisjes së vendit, analistët presin që viti 2020 të mbetet shpresa e vetme e qytetarëve kosovarë që të fillojë një epokë e re e ndryshimeve, një vit i llogaridhënies dhe meritokracisë, por vetëm nëse këto ndryshime bëhen nën kontrollin e rreptë të SHBA-ve.

Kështu tha për “Kosova Sot Online”, njohësi i fushës së të drejtës dhe ish agjent i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai thekson se ndryshimi pozitiv dhe llogaridhënia në shtetin e Kosovës, pa ndihmën e SHBA-ve nuk mundë të instalohet, nëse kjo ndihmë nuk vjen në kuptimin e largimit nga pushteti të zyrtarëve dhe politikanëve të inkriminuar, dhe gjithë rrjetit të nëntokës kriminale që është mbi ligjin.

Sipas Miftarit, dora amerikane nevojitet për këtë pastrim të madh, sepse shtrirja e rrjetit të krimit në institucione ka zgjatur përplot dy dekada.

Image
Naim MIftari

“Problemi i Kosovës në këtë fushë është se Kosova duel nga një luftë e ndyrë, nga një kasaphane, dhe pas kësaj lufte brenda natës ish komunistët dhe ish bashkëpunëtorët e regjimit, ish nëpunësit e gjyqësive dhe sigurimeve të okupatorit serb, u bënë demokrat, u bënë prokuror, gjyqtar dhe hetues policor. Pra në kohën e UNMIKUT u instalua një pushtet i ri nga ish bashkëpunëtorët e Titos e Millosheviqit. Njësoj ndodhi edhe me politikanët e vjetër dhe të rinj, sepse disa vetëm i ndërruan rrobat e shërbëtorit e më hershëm që i mbanin. Dhe ngadalë u instalua një sistem dhe një politikë ku korrupsioni dhe mos dhënia e llogaris para drejtësisë u bënë abetare”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, pikërisht nga kjo situatë lindi krimi i organizuar, që rrënjët i ka nga ato ndërrime që u bënë brenda natës, të ndihmuar me kuadro vendorë dhe po ashtu të ndihmuar nga stafi ndërkombëtar.

“Dhe këto lidhje e lindi automatikisht krimin e organizuar politik në Kosovë. Dhe normal qe 20 vite vazhdon, zhvillohet dhe jeton krimi i organizuar me politikën dhe me ndërkombëtarët që vijnë e shkojnë por asgjë nuk ndryshon sa i përket sundimit të ligjit dhe shtetit juridik. Sidomos janë të kapura nga ky lloj i krimit të organizuar gjyqësia, policia,prokuroria, inteligjenca, parlamenti , qeveritë e të gjitha mandateve të deritashme”, theksoi Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Dhe në këtë gjendje, sipas Miftarit nëse duam ta kemi Kosovën shtet ligjor dhe shtet në zhvillim e sipër, duhet të kërkohet një pastrim të plotë me një VETING.

“ Një dezinfektim total të organeve shtetërore nga dora dhe ndikimi i krimit të organizuar, pasi nëse nuk funksionon ligji si duhet në një shtet atëherë ai shtet se meriton as pavarësinë, as lirinë as me qen shtet fare, prandaj është shumë jetike ndihma amerikane e cila ka meritat kryesore pse jemi sot shtet i lirë deri diku, prandaj edhe domosdoshmërish na duhet ndihma amerikane. Për ta pastruar shtetin nga mafia, domethënë nga dora e krimit të organizuar, nga mafia e politikanëve të korruptuar kosovare por edhe nga mafiozët ndërkombëtar, ndihma e SHBA është jetike. Ndryshe do të shpërbehemi si shtet por edhe do të asimilohemi dalëngadalë në heshtje, siç po asimilohemi edhe tani, pavarësisht se si shqiptar jemi popull i vjetër këtu, popull autokton”, përfundoi Naim Miftari për “Kosova Sot Online” .

(Kosova Sot Online)