Rama e pranon se ka ndryshuar qëndrim për Kurtin

  • 20 December 2019 - 08:59
Rama e pranon se ka ndryshuar qëndrim për Kurtin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pranuar tërthorazi se ka ndryshuar qëndrimi lidhur me kryetarin e Lëvizës Vetëvendosje, Albin Kurti.

Rama duke folur për mini-schengenin ballkanik, ai është shfaqur i nervozuar me kërkesën që Albin Kurti i kishte bërë që të mos ngutet me këtë çështje.

Ai ka thënë se nuk mund të pranojë kërkesën e njeriut që ka fituar zgjedhjet në Kosovë dhe i cili mendon se do ta ndryshojë historinë e botës. Ka thënë se ky proces ka filluar para pesë viteve dhe në tavolinë kanë qenë të gjithë.

“Nuk mund të pranoj njërin që ka fituar zgjedhjet në Kosovë dhe mendon se do ta ndryshojë historinë e botës duke më thënë mos u ngutë. Po pse mos të ngutëm, ngutu ti sepse ky proces është filluar tash e pesë vite dhe në tavolinë kanë qenë të gjithë. Në kulmin e luftës për taksën Ramushi ishte në tavolinë me Ana Bërnabiqin”, ka deklaruar ai në një televizion.

Kur është pyetur se ai kishte pasur simpati për Albin Kurtin, Rama është përgjigjur duke thënë se shpreson që Kurti të mos veprojë si kryeministër ashtu siç është duke vepruar tash.

“Albin Kurtin e kam pasur simpati të madhe dhe dua që të jetë bashkëpunues për të mirën e Kosovës dhe të kemi sukses dhe nuk ja uroj të bëjë si kryeministër atë që po e bën tan që është mes kryetarit të partisë dhe mes postit të kryeministrit”, ka deklaruar Rama.

(Kosova Sot Online)