Vuçiç në Tiranë/ “Akt i pastër antikombëtar”- thirrje publike: Rama duhet të shpallet non grata në Kosovë

  • 20 December 2019 - 20:16
Vuçiç në Tiranë/ “Akt i pastër antikombëtar”- thirrje publike: Rama duhet të shpallet non grata në Kosovë

Ish-deputeti i  PD-së, Klevis Balliu e ka konsideruar “akt të pastër antikombëtar”, praninë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Tiranë, në kuadër të takimit për “Minishengenin” Ballkanik, që pritet të mbahet nesër.

Në facebook, Balliu bën thirrje publike që kryeministri Rama të shpallet non grata në Kosovë, ndërsa thekson se ky i fundit nuk mund të lejohet që të “fyejë më me këtë tradhti kombëtare Adem Jasharin, Arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, UÇK si dhe luftën patriotike të çdo shqiptari kundër kriminelit të luftës Millosheviçit”.

“Minishengeni” Ballkanik ka sjellë në Tiranë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. 

Postimi i plotë:

RAMA TË SHPALLET NONGRADA NË KOSOVË

I nderuar Kryeministër në detyrë zoti Haradinaj, i nderuar Kryeministri i ardhshëm zoti Albin Kurti.

Akti i sotëm në Shqipëri, nga Kryeministri Edvin Rama, është akt i pastër antikombëtar.

Askush nuk e kishte menduar që do të vinte dita që një Kryeministër shqiptar të ndalojë protestat kundër genocidit Serb ndaj motrave dhe vëllezërve tanë.

Në këto kushte kam një thirrje publike.

Për të pastruar faqen tonë kombëtare në sytë e mbarë botës duhet që të shpallet NONGRADA në Kosovë Edvin Kristaq Rama. Nuk mundet të lejojmë Edivin Ramën që të fyejë më me këtë tradhti kombëtare Adem Jasharin, Arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, UÇK si dhe luftën patriotike të çdo shqiptari kundër kriminelit të luftës Millosheviçit dhe anëtarëve të pushtetit të tij kriminal.

(Kosova Sot Online)