Isa Mustafën e thirri në telefon Matthew Palmer, mësohet se çka e pyeti

  • 20 December 2019 - 23:20
Isa Mustafën e thirri në telefon Matthew Palmer, mësohet se çka e pyeti

Para dy ditësh, teksa Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike, ishte duke mbajtur mbledhje, kryetari Isa Mustafa kishte marrë një telefonatë nga zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer.

E lidhur me atë se çka është biseduar në këtë telefonatë, ka folur anëtari i Kryesisë së LDK-së, Imri Ahmeti.

“Me atë që e di unë, në telefonatë Palmer është shprehur i interesuar se deri ku kanë arritur bisedat me Lëvizjen Vetëvendosje, për arritjen e koalicionit”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka folur edhe për takimin e Mustafës, me delegacionin gjerman, të dërguar në Kosovë nga ana e kancelares, Angela Merkel. 

Kryetari i Lipjanit, e ka pranuar se ka presione nga ana e faktorëve ndërkombëtar, për arritjen e koalicionit LDK-VV, duke thënë se ky presion është pozitiv.

“Në fakt është normale sa i përket presioneve. Kosovën e presin shumë sfida të mëdha, për shkak të dialogut dhe gjërave tjera. Ndërkombëtarët normalisht që kërkojnë që të bëhet qeveria. Qëllimi i tyre është qëllim mirë. Në dijeninë time, është kërkesë e tyre që të përfundohet sa më parë çështje e formimit të qeverisë”, ka thënë ndër të tjera Imri Ahmeti.

(Kosova Sot Online)