“Kulmi i dështimit”, dalin shifrat që alarmojnë Kosovën

  • 21 December 2019 - 07:32
“Kulmi i dështimit”, dalin shifrat që alarmojnë Kosovën

“Është momenti kritik kur duhet të rishikohet gjithçka për tu përmirësuar nga e kaluara e dështuar sepse nuk është dështim i vogël kur shohim se si po mbeten mbrapa 20 vite rresht dhe asnjë qeveri nuk punoi për të forcuar sektorin privat, asnjë qeveri nuk u angazhuar për krijimin e kushteve të zgjerimit të tregut me konkurrencë lojale por e uzurpuan këtë treg me monopole kriminale, duke zhvatur qytetarët dhe buxhetin e Kosovës vetëm për mafio-oligarkët, që pasuritë e zhvatura dhe të vjedhura, që po i dërgojnë dhe i fshehin në Parajsa Fiskale dhe nuk po i investon askush për të mirën e zhvillimit të shtetit dhe për punësimin e fuqisë së re punëtore”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të vitit 2019, ku thuhet se pothuajse dy të tretat e popullsisë së Kosovës është në moshë pune, ku përfshihen moshat prej 15 deri në 64 vjeçare. E dy të tretat e gjithsej popullsisë së Kosovës përbëjnë 1 milionë e 207 mijë e 617 persona nga numri i popullsisë kosovare që janë në moshë pune. Prej tyre, rreth 505 mijë e 936 janë fuqi punëtore ndërsa 701 mijë e 681 apo 58.1 për qind nuk janë persona ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar.

Njohës të fushë së ekonomisë, i shohin me shumë shqetësim këto të dhëna zyrtare nga një institucion kredibil vendor, duke theksuar se është skandaloze se si po vazhdon të mbetet shkalla e popullsisë joaktive për punë, më e lartë sesa përqindja e të punësuarve në Kosovë, dhe zyrtarisht në Kosovë vetëm 31.6 për qind apo 382,035 persona janë të punësuar.

Sipas analistit dhe njohësit të kësaj fushe, Ragip Guraziu është një fatkeqësi e madhe që tash e 20 vite rresht, asnjë qeveri nuk punoi për ta forcuar sektorin privat, ku do të kishte konkurrencë serioze dhe do të hapeshin edhe vende të reja të punës, por përkundrazi, u krijuan monopole kriminale duke zhvatur qytetarët dhe buxhetin e Kosovës vetëm për mafio-oligarkët, që pasuritë e zhvatura dhe të vjedhura t’i dërgojnë dhe t’i fshehin në parajsa fiskale.

Image
Ragip Guraziu

“Këto të dhënë flasim për kulmin e dështimit të të gjitha qeverive të deritanishme, pavarësisht se nga cila parti politike u drejtuan ato. Punësimet kryesore me letra janë zhvilluar nëpër institucionet publik, nëpër ndërmarrjet publike të kontrolluara nga shteti por që asnjëherë nuk kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre për hapjen e vendeve të reja të punës, kanë mbetur ashtu të stërkequr dhe nga zhvatja e tyre kanë përfituar vetëm të punësuarit e klientelave politike. Ndryshe mbështetje, subvencionimi dhe lehtësimi i afarizmit në sektorin privat, për të krijuar kushte të hapjes së vendeve të reja të punës, asnjëherë nuk ka qenë prioritet i institucioneve të shtetit të Kosovës, prandaj e kemi këtë pasqyrë tepër shqetësuese të fuqisë aktive për punë, të pa angazhuar në punë, nga ana e ASK-së. Është e pa justifikueshme dhe e pa falshme për të gjitha qeveritë e deritashme pse dështuan për përmasimin e kushteve të zhvillimit dhe avancimit të sektori privat, me konkurrencë lokale në tregun punës dhe të shërbimeve, për të hapur vende të reja pune”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Kjo politikë e zhvillimit të vendit, sipas Guraziut është më shumë se emergjente që të rishikohet tërësisht nga qeveria në ardhje, e cila sipas tij duhet t’i rishikojë politikat e zhvillimit ekonomik edhe në rrafshin nacional global, por edhe në atë sektorial, për të iu mundësuar të gjitha bizneseve zhvillim më të hovshëm dhe mundësi të hapjes së vendeve të reja të punës.

“Është momenti kritik kur duhet të rishikohet gjithçka për tu përmirësuar nga e kaluara e dështuar sepse nuk është dështim i vogël kur shohim se si po mbeten mbrapa 20 vite rresht dhe asnjë qeveri nuk punoi për të forcuar sektorin privat, asnjë qeveri nuk u angazhuar për krijimin e kushteve të zgjerimit të tregut me konkurrencë lojale por e uzurpuan këtë treg me monopole kriminale, duke zhvatur qytetarët dhe buxhetin e Kosovës vetëm për mafio-oligarkët, që pasuritë e zhvatura dhe të vjedhura, që po i dërgojnë dhe i fshehin në Parajsa Fiskale dhe nuk po i investon askush për të mirën e zhvillimit të shtetit dhe për punësimin e fuqisë së re punëtore”, deklaroi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)