Çifti i arratisur francez fshihej në Shqipëri, policia jep detajet e arrestimit, pse ishin në kërkim

  • 21 December 2019 - 10:20
Çifti i arratisur francez fshihej në Shqipëri, policia jep detajet e arrestimit, pse ishin në kërkim

Një çift francezesh të arratisur nga burgu fshiheshin në Shqipëri. Policia e Shtetit i arrestoi në operacionin e koduar “Start” pasi ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.

Operacioni u krye nga Njësia Speciale “FAST”, në koordinim nga Interpol Tirana dhe pas arrestimit ata pritet të ekstradohen drejt Francës.

“Në vijim të shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe homologëve për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe pas koordinimit të veprimeve me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Durrës për lokalizimin e vendndodhjes së personave që kërkoheshin, Njësia Speciale “FAST”, për kapjen e personave në kërkim, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Start”.

Si rezultat i operacionit u bë e mundur që në Tiranë, të kapej dhe të arrestohej shtetasja franceze C. F., 26 vjeçe, si dhe në Durrës të kapej e arrestohej shtetasi francez A. Gh., 33 vjeç, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi:

Autoritetet gjyqësore franceze të Gjykatës së Lartë Lorent, Francë kanë lëshuar urdhër-arrestin për këta shtetas, për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”, “Falsifikimi i çeqeve” dhe “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, parashikuar nga nenet e Kodit Penal francez.

Arrestimi i tyre u bë me qëllim ekstradimin drejt Francës”.

(Kosova Sot Online)