Pavarësisht zjarreve, kryeministri australian nuk i ndryshon politikat klimatike

  • 22 December 2019 - 08:34
Pavarësisht zjarreve, kryeministri australian nuk i ndryshon politikat klimatike

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka lënë të kuptohet se qeveria e tij nuk do t’i shtojë përpjekjet për t’i luftuar ndryshimet klimatike, pavarësisht krizës së madhe të zjarreve dhe valës rekorde të vapës që e kanë përfshirë shtetin e largët.

Pasi u kthye nga pushimet kundërthënëse me familjen në Hawaii, kryeministri australian kërkoi falje për mungesën e tij në punë në kohën kur vendi ishte i përfshirë nga rreth 100 vatra aktive të zjarrit.

Në një konferencë për gazetarë që e mbajti pas vizitës që ua bëri zjarrfikësve të rajonit New South Wales, kryeministri Morrison bëri thirrje që australianët të jenë të sjellshëm me njëri-tjetrin dhe t’i kundërshtojnë përçarjet, por më pas i akuzoi ata që po kërkojnë më shumë masa për klimën se po e bëjnë këtë vetëm për të fituar poenë politikë. 

Ai tha se nuk ekziston ndonjë mosmarrëveshje sa i përket lidhjes mes çështjeve më të gjera të ndryshimeve klimatike dhe ngjarjeve të motit përreth botës, por se nuk është e besueshme që ndonjë zjarr të lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet e klimës.

Ngrohja globale po sjell verëra më të gjata, më të nxehta dhe më të thata. Ekspertët thonë se këto kushte shkaktojnë edhe zjarre më të mëdha dhe më të shpeshta në natyrë, por kryeministri australian tha se ky është vetëm njëri nga faktorët e shumë.

Ndryshe, qeveria australiane deri më tash i ka ndarë më shumë se 63 milionë dollarë për dëmet e shkaktuara nga zjarret, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)