Macron-i u bën thirrje protestuesve që të mos i prishin festat

  • 22 December 2019 - 09:26
Macron-i u bën thirrje protestuesve që të mos i prishin festat

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u ka bërë thirrje sindikatave të punëtorëve të transportit publik që t’i anulojnë grevat dhe protestat gjatë festive të fundvitit në mënyrë që të mos shkaktohen tollovi.

Gjatë një vizite zyrtare në Bregun e Fildishtë, presidenti Macron tha se grevistët duhet të bëjnë “armëpushim” si shenjë respekti ndaj familjeve dhe jetës familjare.

“Veprimi grevist është i arsyetueshëm dhe i mbrojtur me kushtetutë, por unë besoj se janë disa momente në jetën e një kombi, kur është gjithashtu mirë të shpallet një armëpushim për t’i respektuar familjet dhe jetën e familjeve”, tha presidenti francez. 

Grevat që filluan para dy javëve për shkak të reformës së paralajmëruar pensionale kanë shkaktuar pengesa të shumta në transportin publik në tërë Francën.

Kompania e trenave, SNCF, njoftoi se shërbimet do të jenë dukshëm të kufizuara gjatë Krishtlindjeve. Vetëm gjysma e trenave të shpejtë kanë qarkulluar të shtunën dhe gjysma e linjave të metros në Paris janë ndërprerë.

Shumë qytetarë francezë, të cilët kishin planifikuar udhëtime për t’u bashkuar me familjet e tyre gjatë festave, kanë mbetur të bllokuar për shkak të mosfunksionimit të sistemit publik të transportit. Për më tepër, qindra fluturime janë anuluar, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)