Sot mbahen zgjedhjet presidenciale në Kroaci, pritet garë e ngushtë

  • 22 December 2019 - 10:06
Sot mbahen zgjedhjet presidenciale në Kroaci, pritet garë e ngushtë

Kroatët kanë filluar të votojnë sot për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit. Fushata zgjedhore u përcoll me kritika për shkak të mungesës së kandidatëve të së majtës.

Në këto zgjedhje do të marrin pjesë njëmbëdhjetë kandidatë, por anketat tregojnë se gara vendimtare do të zhvillohet mes presidentes së deritashme, Kolinda Grabar-Kitaroviq, e cila vjen nga radhët e Unionit Demokratik Kroat, Zoran Milanoviqit nga Partia Socialdemokrate dhe kandidatit të pavarur, Miroslav Skoro. 

Pritet që të tre kandidatët kryesorë për president të Kroacisë t’i fitojnë mes 23 e 25 për qind të votave. Për t’u shpallur president, njëri prej kandidatëve duhet t’i fitojë mbi 50 për qind të votave.

Megjithatë, duke i marrë parasysh të dhënat e anketave, nuk pritet që ndonjëri prej kandidatëve ta sigurojë shumicën e votave që në rundin e parë, prandaj vendi besohet se do të shkojë drejt balotazhit, ku dy kandidatët me më së shumti vota do të përballen në garë përsëri më 5 janar të vitit të ardhshëm.

Kompetencat e presidentit në sistemin politik të Kroacisë janë mjaft të kufizuara. Rolet kryesore të personit që e mban këtë post janë përfaqësimi i shtetit në politikën e jashtme dhe pozita e komandantit suprem të forcave të armatosura.

Këto zgjedhje po mbahen në një kohë të rëndësishme për Kroacinë, sepse Zagrebi do ta marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Gjatë fushatës zgjedhore, Grabar-Kitaroviq dhe Miroslav Skoro kanë mbajtur qëndrime të dukshme djathtiste, shkruan “Al Jazeera”.

(Kosova Sot Online)