Polonia e Rusia në luftë fjalësh rreth fajit për Luftën e Dytë Botërore

  • 23 December 2019 - 10:15
Polonia e Rusia në luftë fjalësh rreth fajit për Luftën e Dytë Botërore

Një luftë fjalësh ka filluar mes Polonisë dhe Rusisë për atë se kush duhet të fajësohet për fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për devijim të historisë.

Ministria e Jashtme e Polonisë tha se i ka pritur me shqetësim dhe mosbesim deklaratat e përfaqësuesve të Federatës Ruse, përfshirë presidentin Vladimir Putin, për gjenezën dhe rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore. Sipas kësaj ministrie, deklaratat e zyrtarëve rusë i përshkruajnë gabimisht ngjarjet historike të asaj periudhe.

Varshava e akuzoi Moskën për ringjallje të propagandës staliniste dhe humbje të përpjekjeve për pajtim, të cilat ishin nisur nga ish-liderët Mikhail Gorbachev dhe Boris Yeltsin.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se është Varshava ajo që po i vë në rrezik marrëdhëniet mes dy vendeve përmes, siç, tha ajo, retorikës agresive dhe shkatërrimit të monumenteve të luftëtarëve kundër fashizmit.

Rusia e akuzoi Poloninë edhe për nxitjen e vendimit të Bashkimit Evropian për t’i vendosur sanksione Moskës për konfliktin në Ukrainë. Këto sanksione u miratuan edhe për gjashtë muaj të tjerë nga Brukseli.

Tensionet mes Moskës dhe Varshavës u rritën përsëri javën e kaluar, kur presidenti rus, Vladimir Putin, i fajësoi fuqitë perëndimore dhe Poloninë për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, duke i përmendur disa traktate të nënshkruara me Gjermaninë naziste para nisjes së luftës më 1939.

Shumë historinë vlerësojnë se Polonia e pushtuar në atë kohë nga nazistët ishte njëra prej shteteve që ka pësuar më së shumti në Luftën e Dytë Botërore. Rreth gjashtë milionë persona, shumica civilë, ishin vrarë gjatë kësaj lufte në Poloni, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)