Dy ushtarë irakianë vriten nga shpërthimi i veturës bombë

  • 23 December 2019 - 10:46
Dy ushtarë irakianë vriten nga shpërthimi i veturës bombë

Një veturë e parkuar shpërtheu në provincën perëndimore irakiane, Anbar, në orët e hershme të së hënës, duke lënë të vdekur dy ushtarë dhe duke plagosur një zyrtar. Shpërthimi ndodhi afër ish-bastionit të fundit të ISIS-it në Irak.

Asnjë grup nuk e ka marrë akoma përgjegjësinë për këtë sulm, por militantët e Shtetit Islamik kanë kryer sulme të vazhdueshme që nga humbja e kontrollit ndaj territorit irakian në vitin 2017.

Vetura bombë shpërtheu në kohën kur ushtarët ishin duke patrulluar në një rrugë në Qaim, 300 kilometra në perëndim të Bagdadit, afër kufirit me Sirinë.

“Kërkimi për elemente terroriste, të cilat mund të kenë qenë pjesë e këtij veprimi kriminal, janë duke vazhduar”, thuhet në deklaratën e ushtrisë irakiane.

Ndryshe, Shteti Islamik kishte pushtuar territore të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014, duke e shpallur kalifatin në të dyja këto shtete. Sidoqoftë, Iraku e shpalli fitoren kundër këtij grupi në vitin 2017, ndërsa ISIS-i e humbi edhe territorin e fundit në Siri këtë vit, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)