Kurti për “Politico”: Kosova e ka një problem dhe emri i tij është Serbia

  • 23 December 2019 - 11:39
Kurti për “Politico”: Kosova e ka një problem dhe emri i tij është Serbia

Albin Kurti nuk mendon se thjesht i ka fituar zgjedhjet. Ai thotë se ky ishte një revolucion.

Kurti, dikur protestues, i burgosur dhe provokator, pritet të bëhet kryeministër i Kosovës pasi Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga ai, doli e para në zgjedhjet parlamentare të tetorit.

E frymëzuar nga lëvizjet majtiste anti-kolonialiste në vendet në zhvillim, organizata e Kurtit është goxha më ndryshe nga partitë që e kanë qeverisur Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit në dekadat e fundit. Qëllimi i tij tashmë i shpallur është shkatërrimi i modelit të tyre qeverisës – një sistem i nepotizmit dhe korrupsionit endemik, i shoqëruar me lidhje të ngushta me krimin e organizuar.

Nëse politikani 44-vjeçar ia del, ai do të mund të inkurajonte lëvizje të ngjashme në mbarë Ballkanin, duke paraqitur një sfidë të rrallë ndaj elitave politike të dala nga konfliktet e viteve të nëntëdhjeta.

“Po e sjellim një epokë të re, në të cilën qeveria është e vetëdijshme se nuk i ka paratë e veta, por që thjesht i menaxhon paratë e popullit”, tha Kurti në një intervistë të realizuar në selinë qendrore të lëvizjes së tij në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Kjo kulturë e re e qeverisjes së mirë është jetike për fitoren tonë revolucionare, e cila besoj se është dita kur e ardhja ka filluar për Kosovën”, shtoi ai.

Rrugëtimi i Kurtit do të jetë jetik, jo vetëm për përcaktimin e të ardhmes së Kosovës, por edhe për konfliktin e ngrirë me fqinjën veriore, Serbinë. Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi e cilëson atë vetëm si një provincë renegate. Nëse marrëdhëniet mes dy palëve përkeqësohen, ka gjasa që stabiliteti dhe reputacioni i tërë Ballkanit Perëndimor të marrë një goditje tjetër.

Asgjë që Kurti thotë se dëshiron të arrijë nuk do të jetë e lehtë. As ai, as partia e tij nuk e kanë udhëhequr ndonjëherë një qeveri shtetërore, ndërsa elitat që e kanë udhëhequr skenën politike të Kosovës, me rrjetet e tyre të thella në mbarë institucionet publike, nuk do të pajtohen qetësisht për ta dorëzuar pushtetin.

Dialogu i përkrahur nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit u ndërpre mes tensionesh para më shumë se një viti. Një hije vazhdon të qëndrojë mbi tërë Ballkanin Perëndimor pasi BE-ja këtë vit i refuzoi kërkesat e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Kurti, megjithatë, thotë se politikat e lëvizjes së tij do të kenë një efekt shpërndarës pozitiv, duke i përmirësuar shërbimet publike dhe duke e forcuar luftën publike kundër korrupsionit. Ai zotohet e do t’i japë fund një sistemi në të cilin, sipas tij, njerëzit mbijetonin duke u mbështetur në nepotizëm dhe lidhjet partiake.

“Unë besoj se nuk duhet të kemi frikë nga asgjë, prandaj transparenca radikale është zgjidhja, në mënyrë që ta gëzojmë përkrahjen e popullit”, tha Kurti.

Që nga përfshirja e tij në politikë para rreth dy dekadave, Kurti është burgosur nga Serbia dhe është dënuar me arrest shtëpiak nga autoritetet kosovare. Ai ka hedhur gaz lotsjellës brenda sallës së kuvendit dhe është injoruar nga qeveritë perëndimore për shkak të kritikave të ashpra ndaj zyrtarëve ndërkombëtare dhe përkrahjen e referendumit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kurti e zbuti një pjesë të madhe të këtij radikalizmi gjatë fushatës zgjedhore, e cila përfundoi me fitimin e më shumë se 26 për qind të votave. Që prej asaj kohe, lëvizja ka zhvilluar negociata për koalicion me një parti tradicionale, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për formimin e qeverisë. Këto bisedime nuk kanë qenë të lehta, por pritet të prodhojnë një koalicion në vitin e ri, me Kurtin në krye.

Që nga fitorja në zgjedhje, ambasadorët e vendeve perëndimore në Kosovë e kanë pranuar Kurtin dhe ai e ka nisur një varg udhëtimesh në kryeqytetet kryesore evropiane për t’u takuar me zyrtarë të lartë.

“Si kryeministër, do të kem borxh ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Kurti, kur u pyet për serbët e Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Beogradin. “Për shumicën e popullit të Kosovës, dy shqetësime janë të njëjta – vendet e punës dhe drejtësia”, tha ai.

“Kosova nuk është një problem, në zgjidhjen e të cilit duhet të përfshihet Serbia. Kosova e ka një problem dhe emri i tij është Serbia”, shtoi Kurti.

Ai u zotua se do të bëjë përpjekje të mëdha për ta vendosur sundimin e ligjit. Sipas tij, prokurori shtetëror do të jetë personi më i famshëm në Kosovë, e jo ndonjë politikan, shkruan “Politico”.

(Kosova Soit Online)