Ish i burgosuri thotë se në burgjet britanike mbahen gjyqe me Sheriat

  • 23 December 2019 - 14:13
Ish i burgosuri thotë se në burgjet britanike mbahen gjyqe me Sheriat

Një person, i cili më parë ishte mbajtur në njërin nga burgjet e Britanisë së Madhe, ka thënë se ekstremistët islamikë që po e vuajnë dënimin në këto burgje janë duke mbajtur gjyqe në bazë të Sheriatit dhe janë zotuar se do t’i qëndrojnë besnikë ISIS-it.

Ekspertët e sigurisë kanë kërkuar rishikim urgjent për radikalizimin në burgjet britanike pasi një ish i burgosur, i njohur si Jack, tregoi se si kishte dhënë ndihmë për zbatimin e Sheriatit pasi ishte takuar me një ekstremist.

Ai i tha gazetës “Times” se u shoqërua në burg me terroristin Brusthom Ziamani dhe i ka organizuar rrahjet e tij me një të burgosur tjetër, i cili ishte duke e vuajtur dënimin për vrasje.

Ky vrasës i kishte thënë personit tashmë të liruar se mbretëresha është armike e Islamit dhe si e tillë duhet të luftohet deri në vdekje.

Personi i identifikuar si Jack dhe dy myslimanë të konvertuar i kishin vendosur para “gjykatës” dy burra për shkak të fyerjes së muajit të Ramazanit.

Bashkëpunëtori i tij në burg u kishte thënë dy burrave: “Ju jeni kapur duke pirë alkool mbrëmë nga vëllezërit. Për shkak të dëshmive kundër jush, ju shpallim fajtor, pavarësisht deklaratës suaj për pafajësi.”

Këta persona më pas ishin pajtuar që t’i dënonin personat e kapur duke pirë alkool me rrahje. Jack tha se kishte bashkëpunuar me këta persona sepse besonte në ato gjëra që ia thoshin dhe ishte i frikësuar për atë që do t’i ndodhte, nëse do t’i kishte kundërshtuar.

Në vitin 2002, vetëm 8 për qind e të burgosurve në Britani ishin myslimanë. Kjo shifër u dyfishua këtë vit, duke shkuar në 16 për qind ose 13 mijë persona, shkruan “Daily Mail”.

(Kosova Sot Online )