“Komisioneri që erdhi për të parë banesën ishte i dehur, më tha flas unë me tërmetin!”

  • 23 December 2019 - 14:47
“Komisioneri që erdhi për të parë banesën ishte i dehur, më tha flas unë me tërmetin!”

Një banor i fshatit Mërqi në Krujë denoncon një skandal me komisionerët e përzgjedhur për evidentimin e dëmeve të tërmetit. Ai thotë se për vlerësuar banesën sipas tij të dëmtuar rëndë, i ka shkuar një komisioner në gjendje të dehur.  Ndërkohë qindra familje që kanë mbetur me çadra vere në mes të dimrit, thonë se kaluan 24 orë ekstreme pas reshjeve intensive të shiut.

“Janë çarë komplet, është e banueshme. Si është e banueshme i thashë, kësaj sikur gjysma e atij që ka rënë të bjerë e rrëzon për tokë. Fola unë me tërmetin tha. Ai kishte qenë i dehur”.

I identifikuar me emër e mbiemër ky banor i fshatit Mërqi në Krujë denoncon një skandal me komisionerët e përzgjedhur nga Bashkia për evidentimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit.

Prej gati një muaji tashmë familja e Mark Troksit jeton në një çadër në oborrin e banesës ku nuk besojnë të futen brenda. Por siç tregojnë nata mes të dielës e të hënës ishte ndër më të vështirat për shkak të reshjeve të shiut dhe daljes nga shtrati të Lumit Ishëm.

“Nga halli nuk kishim çfarë të bënim jemi futur brenda dhe rrinim në këmbë”

E tillë nata ishte për qindra familje në qarqet, Durrës e Lezhë që tërmeti i la pa çati mbi kokë dhe institucionet e shtetit i kanë lënë me çadra vere në mes të dimrit.

“Kam frikë të fle këtu se mbrëmë më erdhi lumi dhe shtëpia më është shembur”

Vendndodhja e ndryshme, problematika e njëjtë edhe në Fushë Mamurras.

Por pavarësisht vështirësive që po jetojnë, familjet e dëmtuara nga tërmeti në zonat rurale vazhdojnë të refuzojnë të braktisin shtëpitë për shkak të bagëtive që thonë se është ndër të vetmet pasuri që u ka shpëtuar.

(Kosova Sot Online)