“Të lutem, thuaj kështu se më more në qafë!”, si u zbulua i dyshuari për krimin horror. Çfarë i kërkoi xhaxhait?

  • 23 December 2019 - 16:47
“Të lutem, thuaj kështu se më more në qafë!”, si u zbulua i dyshuari për krimin horror. Çfarë i kërkoi xhaxhait?

“Të lutem, deklaro kështu se më more në qafë!”, kjo kërkesë që Devis Hoti i bëri xhaxhait të tij, kur mbahej i shoqëruar në Polici, orientoi grupin hetimor drejt provave e më pas edhe drejt arrestimit të tij për vrasjen e Flamur Duçit. 

Teksa adoleshenti ishte shoqëruar në ambientet e Policisë së Korçës, si person i dyshuar, në një moment ai është lejuar që të qëndrojë vetëm për vetëm me xhaxhait dhe biseda mes tyre është përgjuar.

Krimi horror, që ndodhi më 19 dhjetor në fshatin Mborje të Korçës, u dyshua se ndodhi gjatë një tentative grabitjeje në dyqanin e viktimës, Flamur Duçit. Madje Policia tha se mes viktimës dhe autorit kishte pasur edhe përleshje brenda në dyqan.

Për këtë arsye, personi i arrestuar, Devis Hoti, është verifikuar për dëmtime fizike dhe i janë konstatuar disa të tilla. Por ai, duke mohuar vazhdimisht përfshirjen në vrasje, është shprehur se dëmtimet i ka nga një përplasje e disa ditëve më parë. Të njëjtin qëndrim mohues, 18-vjeçari e ka mbajtur edhe dje në Gjykatë, gjatë zhvillimit të masës së sigurisë, duke pretenduar pafajësinë. Megjithatë, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”.

MASA E SIGURISE

Gjykata e Korçës dha dje masën “Arrest me burg” për 18-vjeçarin Devis Hoti, pasi ky i fundit dyshohet se ka vrarë kushëririn e tij me mjet prerës dhe më pas ka tentuar ta djegë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, ku Flamur Duçi u gjet i pajetë jashtë biznesit të tij nga banorët e fshatit Mborje.

Pas hetimeve, u zbulua se ai ishte konfliktuar me 18- vjeçarin Hoti në ambientet e brendshme të dyqanit të tij, ndërsa ky i fundit ka gjetur një thikë te banaku dhe ka reaguar, duke e qëlluar në trup disa herë Flamur Duçin e më pas, është tentuar t’i vihej flaka, duke i shkaktuar djegie në pjesën e kokës. “Viktima është qëlluar 8 herë me thikë në pjesën e fytyrës dhe në zemër, më pas është djegur pjesërisht”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. 

Autori i dyshuar është pyetur nga hetuesit për disa shenja që kishte në fytyrë dhe ka pretenduar se është rrëzuar në mal. Ndërsa prindërit kanë thënë se djali i tyre s’kishte shenja ditën e ngjarjes. Sakaq, ai është përgjuar në ambientet e paraburgimit, teksa fliste me xhaxhain, të cilit i ka kërkuar të pohojë se shenjat i janë shkaktuar kur është rrëzuar në mal.

Deklaratat e tij kanë qenë kontradiktore, duke sjellë dyshime të forta se autori i vrasjes është Devis Hoti, ndërsa vetë ai nuk e pranoi fajësinë në seancën për masën e sigurisë. Viktima, Flamur Duçi, 49-vjeç, është goditur me thikën që kishte në dyqanin ushqimor, në fshatin Mbroje të Korçës. Arma e ftohtë e krimit ende nuk është gjetur nga Policia, ndërsa do të analizohen në laboratorin e kriminalistikës disa materiale biologjike të gjetura në vendngjarje.

Vrasja e 49-vjeçarit pas përleshjes në dyqan

Mëngjesin e së enjtes, 49-vjeçari Flamur Duçi u gjet i masakruar me thikë dhe pjesërisht i djegur. Viktima u gjet i pajetë në rrugën para dyqanit të tij, në fshatin Mborje. Ngjarja u zbulua nga banorët dhe Policia tha se pas mbërritjes në vendngjarje, u konstatua se ishte qëlluar me thikë në zemër, por kishte edhe djegie në pjesën e sipërme. Ngjarja ndodhi në afërsi të marketit të 49-vjeçarit, në një zonë të banuar. Por asnjë nga banorët nuk ka mundur të dëgjojë zhurma apo zëra në momentin kur ka ndodhur ngjarja që të mund t’i vinte në ndihmë 49-vjeçarit.

Sipas informacioneve të Policisë së Korçës, ngjarja dyshohet se mund të ketë ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit, ndërsa kanë qenë fqinjët ata që kur kanë dalë nga banesat e tyre, kanë vënë re trupin e pajetë të Flamur Duçit. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e krimit makabër. Sipas Policisë, orët e para të mëngjesit, viktima dyshohet se ka dalë për të hapur dyqanin e tij ushqimor dhe se mund të jetë përballur me autorët.

(Kosova Sot Online)