Orët e liga të VV’së e LDK’së, vazhdojnë përplasjet 3 ditë para seancës

  • 23 December 2019 - 17:37
Orët e liga të VV’së e LDK’së, vazhdojnë përplasjet 3 ditë para seancës

Më pak se 72 orë iu kanë mbetur Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të pajtohen ose jo për koalicionin që mund t’i çojë në qeverisje për katër vitet e ardhshme. Marrëveshja mes të dyjave me gjasë do të nënshkruhet në minutat e fundit, pasi që Albin Kurti e Isa Mustafa nuk e kanë paraparë që të shihen sot.

Afrimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, nuk po ua ngutë punët shumë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e marrëveshjes.

Mospajtimet mes dy subjekteve, veçse kanë shkuar duke u rritur, tash kur as njëra e as tjera nuk kanë hequr dorë nga kushtet që kanë vënë në tavolinë të diskutimit.

Është në njërën anë LDK që çdo ditë po bëhet më e zëshme sa i përket pozitës së presidentit, e LV që thotë se nuk bën pazare me këtë punë.

Rrjedhimisht as sot gjatë ditës nuk është mbajtur ndonjë takim në mes të Kurtit dhe Mustafës. Kështu ka konfirmuar në një përgjigje një burim nga kryesia e LDK’së.

Në anën tjetër, në partinë e Kurtit derisa konfirmojnë se nuk do të ketë takim, thonë se Vetëvendosje ka bërë mjaftueshëm lëshime, e se presin që njëjtë të veprojë edhe pala tjetër.

Në LV shtojnë se marrëveshjet nuk bëhen me kokëfortësi, e se presin që para seancës t’i tejkalojnë problemet.

“Dëshira dhe vullneti ynë është që të arrihet marrëveshja sa ma parë dhe pengesat e dalura ne bisedime e sipër të largohen. Lëvizja ka bërë deri më tash lëshime të rëndësishme, tash presim edhe nga pala tjetër të bëjë lëshimet e saj. Marrëveshjet nuk bëhen me kokëfortësi. Për sot s’është paraparë ndonjë takim, por presim që para seancës konstituive të takohemi dhe të tejkalojmë problemet”, kanë bërë të ditur nga VV.

Tash kur për mospajtimet dy partitë po flasin edhe publikisht, vetëm sot gjatë ditës në drejtim të partisë së Kurtit zyrtarë të LDK’së kanë përcjellë disa akuza.

Fillimisht, nënkryetari i parë i LDK’së, Agim Veliu tha se është e tepërt që Vetëvendosje të merr edhe presidentin edhe kryeministrin, duke lënë të nënkuptohet se arsyeja e mospajtimit për këtë pozitë është sepse nga LV’ja kishin paraparë që të nominonin vetë dikë për president, pasi që t’i përfundon mandati Hashim Thaçit.

“Nuk po bisedohet këtu për lëshuarje pe, po kjo është një kërkesë e LDK-së sepse ne mendojmë që ky pozicion në këtë raport forcash i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse edhe presidenti edhe kryeministri t’i takojë një subjekti në këtë raport të forcave është e tepër”, deklaroi sot Veliu.

Këasj deklarate pak minuta më vonë i ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje. Nga kjo parti kanë mohuar se janë duke kërkuar për vete pozitën e presidentit. 

“Nuk qëndron kjo që thotë z.Veliu. Vetëvendosje, nuk po e kërkon për vete postin e presidentit. Ne po kërkojmë që për presidentin të mos flitet tash kur jemi duke e ndërtuar shumicën parlamentare për qeverisje, por kur të vjen koha. Dhe më e rëndësishmja: po kërkojmë president saktësisht ashtu sikurse e kërkon Kushtetuta e vendit. Kërkesa juaj për ta pasur presidentin në mënyrën se si po e kërkoni nuk e shprehë përkushtimin e stërthënë nga ju për LDK -në shtet formuese, perëndimore dhe që angazhohet për shtetin e së drejtës”, shkruhet në reagimin e VV’së.

Një porosi për Albin Kurtin u sigurua që ta përcjellë edhe kreu i LDK’së, Isa Mustafa teksa foli në eventin e organizuar për 30 vjetorin e krijimit të partisë. Mustafa tha se me VV’në janë pothuajse të barabartë me një diferencë prej një deputeti.

“Jemi subjekte pothuajse të barabartë me një diferencë prej një deputeti, le t’i lexojë qartë rezultatet sepse ne po i lexojmë qartë rezultatet”, ka thënë Mustafa.

Në takimin e fundit në nivel të liderëve që ndodhi të premten që shkoi në fakt nuk pati asnjë progres, ani pse në zyret e Kuvendit, Mustafa e Kurti qëndruan më shumë se dy orë.

Bisedimet kokë më kokë në fakt, kanë mbetur të ngrira qysh prej takimit të parë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, kur, pas ndarjes së dikastereve ministrore, Mustafa e vendosi në tavolinë të diskutimit edhe punën e presidentit.

Në takimin e fundit, ndërkaq, siç ka raportuar media nga burime brenda takimit, Mustafa e përsëriti ofertën e bërë javë më parë, që nëse LDK merr presidentin, atëherë VV  mund të merr një ministri më shumë.

Mirëpo, kjo ofertë nuk është pranuar qysh nga fillimi nga VV’ja. Lideri i LDK’së as nuk e ka saktësuar se për cilën ministri e kishte fjalën, kur foli për ofertën 6+4.

Kujtojmë që nga ndarja e ministrive që pati ndodhur në takimin Kurti – Mustafa pak ditë pas certifikimit, Lidhja Demokratike zgjodhi e para MBP-në, Ministrinë e Arsimit, Bujqësisë, Mbrojtjes, dhe Infrastrukturës, ndërsa, VV mori MPJ Financat, zhvillimi ekonomik, shëndetësisë, e drejtësisë. Ministria për kthim ju mbeti komunitetit serb derisa ajo e kulturës minoriteteve tjera.

(Kosova Sot Online)