A po heq dorë LDK nga presidenti?

  • 24 December 2019 - 07:58
A po heq dorë LDK nga presidenti?

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një intervistë ka folur për arritjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Haziri është shprehur i bindur se kjo marrëveshje do të arrihet edhe pse kanë mbetur vetëm edhe tre ditë nga data kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Ai ndër të tjera ka thënë se Lidhja Demokratike nuk ka ndonjë emër për postin e presidentit, por preferon ta ketë një kandidat konsensual.

“Nuk kemi emër, sepse në traditën tonë politike emri nuk paragjykohet. Presidenti pritet për të qenë në detyrë në mars. Nëse kjo nuk ndodh atëherë janë dy rreziqe. Rreziku i parë është që partitë e koalicionit do të punojnë për një emër. E dyta është që do të vijim në një krizë politike që na çon në zgjedhje pa arritur në zgjedhjen e Presidentit”, ka thënë ai.

“Do të arrijmë në një definicion dhe do të tejkalohet edhe çështja e Presidentit. Kjo mund të përballohet në ditët në vijim. Është kohë e mjaftueshme. Ne jemi të qartë ose koalicion me VV ose opozitë”

Tutje kur është pyetur se çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet një pajtim para konstituimit të Kuvendit, ai është shprehur kështu.

“Unë besoj se deri aty nuk do vihet, nëse vihet LDK nuk ka propozim për kryetar të Kuvendit. Besoj shumë se 2-3 opsionet që janë në tavolinë të definohet plani”

“Mund të mbetet edhe më vonë zgjidhja e definicionit për Presidentin”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)