Trump habit përsëri, del kundër turbinave të erës

  • 24 December 2019 - 09:16
Trump habit përsëri, del kundër turbinave të erës

Ai thotë se di më shumë se gjeneralët e tij për ISIS-in dhe pretendon se i kupton politikanët më mirë se të gjithë të tjerët. Tash, ekziston edhe një temë tjetër për të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se e njeh më mirë se çdokush – turbinat e erës, ndonëse ai i quan “mullinj të erës”.

“E kam studiuar këtë çështje më mirë se të gjithë personat që i njoh. Kurrë nuk e kam kuptuar erën. Ju e dini që unë i njoh mullinjtë e erës shumë mirë. Ata janë të zhurmshëm. Ata i vrasin zogjtë. A dëshironi të shihni varrezë të zogjve? Shkoni nën një mulli ere një ditë. Do të shihni më shumë zogj sesa që keni parë gjatë tërë jetës”, tha presidenti Trump.

“Ata prodhohen kryesisht në Kinë dhe Gjermani, por ata lirojnë edhe shumë tym. Gazrat po përhapen në atmosferë. Ju e dini që e kemi një planet, apo jo? Prandaj, bota është e vogël në krahasim me universin”, shtoi ai.

Është e paqartë se çfarë saktësisht deshi të thoshte kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe si e lidhi punën e turbinave të erës që e kthejnë ajrin e pastër në energji me tymin helmues në atmosferë.

Sidoqoftë, lufta e tij kundër turbinave të erës nuk është diçka e re. Më herët gjatë këtij viti, ai ishte përqeshur pasi kishte deklaruar se këto turbina e shkatërrojnë vlerën e pronave dhe shkaktojnë kancer me zhurmën e tyre.

Ai akuzohet se ka filluar të japë deklarata kundër turbinave të erës vetëm pas propozimit për vendosjen e këtyre pajisjeve afër fushës private të golfit që ai e ka në Skoci, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online )